Studenti i infiltruar prangos infermierin- sekser

Astrit Bara, 36 vjeç i punësuar në QSUT, u arrestua, pasi një student dyshohet se fitoi provimin nga ndërhyrja e tij
TIRANE- Studenti i infiltruar, fut në kurth infermierin sekser mes studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Infermierisë, duke bërë që ai të arrestohej gjatë operacionit "Provimi i suksesshëm".
Kjo pasi një student i infiltruar, që ishte mbetës, ishte futur në provim dhe kishte lënë të paplotësuar fletën e tij të provimit duke e dorëzuar atë bosh. Pavarësisht kësaj, ky student ishte vlerësuar me notë kaluese nga pedagogu, i cili mësohet se është marrë gjithashtu nën hetim nga policia, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i tij.
Astrit Bara, 36 vjeç, infermier në spitalin nr.2, u arrestua dje nga Njësia e Operacioneve Speciale dhe e Vëzhgimit, të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, menjëherë pas marrjes në dorë të vendimit të gjykatës për arrestimin e tij, të kërkuar nga njësia e Task- Forcës, efektivët e njësisë i shtrënguan prangat në duar infermierit të akuzuar si sekser.
Pas më tepër se shtatë muaj hetimesh, policia e kryeqytetit mundi të provojë tërësisht me fakte, prova materiale shkresore, përgjime dhe dëshmi, implikimin e infermierit të spitalit nr.2, në rolin e sekserit, duke iu kërkuar studentëve 20- 30 mijë lekë të reja për provim.
I ndaluari akuzohet se kryente rolin e sekserit ndërmjet studentëve mbetës dhe pedagogëve të ndryshëm të Fakultetit të Infermierisë me të cilët kishin provimet e pamarra. Infermieri i arrestuar, sipas burimeve të policisë, dyshohet se në bashkëpunim me pedagogët, iu merrnin paratë studentëve, në këmbim të notës së mirë.
Për më tepër se shtatë muaj, policia ka mbajtur nën vëzhgim të dyshuarit, duke i provokuar ata në mënyrë të herë pas hershme me studentë dhe njerëz të tjerë, pikërisht për çështjet e provimeve.
Hetuesit kanë mundur të sigurojnë prova të shumta gjatë vëzhgimeve, fotografimeve dhe përgjimeve të kryera, por më e rëndësishmja ishte prova e fundit e administruar nga hetuesit kur studenti mbetës kishte dorëzuar tezën e provimit bosh dhe ishte vlerësuar me notë kaluese.