E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli pret Buttiglione: Italia e shqetësuar për konfliktin politik

TIRANE- Forcat politike duhet të njohin rezultatin e zgjedhjeve pasi ato u monitoruan nga autoritetet ndërkombëtare dhe u vlerësuan si të rregullta. Këtë thirrje ka bërë sot zëvendës presidenti i Parlamentit italian Rocco Buttiglione pas takimit me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Buttiglione theksoi se qeveria dhe opozita duhet të tregohen më bujarë për të cuar vendin në rrugën e integrimit europian.

“Unë do doja tu drejtoja një apel të gjitha forcave politike shqiptare të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Në një demokraci është e rëndësishme si të qeverisësh ashtu edhe të bësh opozitë. Zgjedhjet në Shqipëri ishin të monitoruar nga shumë organizma ndërkombëtarë dhe vlerësimi i PE dhe organizmave të tjerë që ndoqën këtë cështje, ishte se zgjedhjet ishin të rregullta. Unë mendoj se është koha që opozita dhe qeveria të tregohen bujare për të ecur normalisht me proceset demokratike të vendit” u shpreh Buttiglione.

Zëvendës presidenti i Parlamentit Italian duke mos komentuar bojkotin e opozitës tha se Italia është e shqetësuar për nivelin e konfliktit politik në vend.
“Shqipëria ka bërë progres të madh edhe në fushën e demokracisë. Demokracia ka shpesh konflikte, ndonjëherë edhe të ndezura. Ne jemi të shqetësuar për nivelin e konfliktit në politikën shqiptare ndaj i bëjmë thirrje qeverisë të trajtojë me kujdes cështjet që janë në interesin e përbashkët që ti prezantojë Europës fytyrën e një Shqiëprie të bashkuar” theksoi Buttiglione.

Kryeparlamentarja Topalli falënderoi Buttiglionen për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe heqjes së vizave. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›