E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli shmang Kuvendin, shkarkon Biberajn nga Asambleja e KiE

Nga Armand Maho

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shkarkuar kryetarin e delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj, pa dijeninë e këtij të fundit. Arsyet që i janë raportuar Strasburgut janë të ndryshme nga ato që janë publikuar dje nga Kuvendi. Vetë Biberaj thotë se është informuar për këtë gjë nga media, dhe më pas ka komunikuar zyrtarisht me Strasburgun, nga ku është informuar për letrën e dërguar nga zonja Topalli, letër në të cilën kërkohet zëvendësimi i tij si kryetar dhe anëtar delegacioni, me argumentimin se z. Biberaj ngarkohet me një detyrë tjetër.

“Duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit, rezulton se zonja Topalli e ka shkelur në mënyrë flagrante rregulloren e Kuvendit, ka anashkaluar Kuvendin, si dhe ka marrë kompetencat e Kuvendit, gjë që përbën një precedent tepër të rrezikshëm për një vend demokratik”, - thotë Biberaj, që paraqet dhe nenin 7, pika 3 të rregullores në mbrojtje të tij. Neni thotë: Kryetari i Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e anëtarëve dhe të kryesive të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e delegacioneve pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i mëvonshëm në to i njoftohet Kuvendit në seancën plenare më të parë. Në rast kundërshtimesh, Kuvendi vendos me votim të hapur.

Sipas Biberajt, kjo procedurë nuk është zbatuar, pasi letra e zonjës Topalli është dërguar në Strasburg përpara datës 19 janar 2009, ndërkohë që Kuvendi, i mbledhur në seancën e parë më datë 19 janar 2009, nuk është njoftuar për përmbajtjen e kësaj letre.

Sipas tij, ai është votuar nga Kuvendi si kryetar dhe anëtar delegacioni dhe është vetëm Kuvendi ai që mund të vendosë ndryshe.

Biberaj bëri të ditur se lidhur me shkeljen e rregullores, anashkalimin e Kuvendit dhe marrjen e kompetencave të Kuvendit nga zonja Topalli, ka njoftuar zyrtarisht drejtuesit më të lartë të Asamblesë Parlamentare të KE.

“Ky veprim tepër brutal synon të ndërpresë mandatet e z. Biberaj si zëvendëspresidentit i Asamblesë Parlamentare të KE, zëvendëspresidentit i grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane në KE, zëvendëspresidentit i Komisionit të Rregullores, Imuniteteve dhe Marrëdhënieve Institucionale të KE, Anëtarit të Komitetit Politik, Anëtarit të Komitetit të Monitorimit, si dhe Raportit të KE për “Hetimin e krimeve të regjimit Stalinist në Ish-Bashkimin Sovjetik”, mandate këto të votuara unanimisht nga Asambleja e KE dhe të fituara me punë dhe përkushtim 3-vjeçar në KE”, - thuhet në një deklaratë të zyrës së deputetit Biberaj.

Topalli: Biberaj, shkelje me biletat e avionëve

Kuvendi ka sqaruar dje me anë të një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare se deputeti Biberaj ka abuzuar me disa fatura udhëtimesh, ndaj dhe kryetarja e Kuvendit i ka nisur një letër Strasburgut. “Asgjë nuk është e vërtetë nga ajo që thuhet në njoftimin e shtypit të Aleksandër Biberajt.

Kuvendi sqaron se kryetarja e Kuvendit, pasi është konsultuar me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, siç e parashikon edhe neni 7, pika 3 e Rregullores së Kuvendit, i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për zëvendësimin e Aleksandër Biberajt me një deputet tjetër.

Arsyeja kryesore e këtij zëvendësimi vjen për shkak të shkeljeve të rënda financiare të udhëtimeve që Biberaj ka bërë në mënyrë të paautorizuar, në emër të Kuvendit dhe që nuk kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e rregullt të delegacionit në seancat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Këto të fundit janë miratuar gjithmonë nga Kuvendi.

Rasti i sjelljes së Biberajt është rast unik.

Kryetarja e Kuvendit ka mbështetur vazhdimisht dhe ka miratuar pjesëmarrjen e delegacionit, përfshi këtu edhe z. Biberaj, në çdo sesion parlamentar të Këshillit të Evropës, në respekt të këtij institucioni. Madje, në disa raste ka miratuar edhe udhëtime jashtë sesionit parlamentar të anëtarëve të delegacionit edhe në aktivitete të tjera të KE”, - thuhet në deklaratën e Kuvendit. Mazhoranca u gjet para disa ditësh nën peshën e akuzave të Këshillit të Evropës se ligji për lustracionin ishte i mbushur me shkelje dhe nuk do mbyllte problemet.

Biberaj: Komision parlamentar për udhëtimet e mia dhe të Topallit

Deputeti Biberaj ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryetares së Kuvendit se ai ka abuzuar me biletat e avionëve. Biberaj thotë se do kërkojë një komision parlamentar për këtë çështje, por dhe për udhëtimet e zonjës Topalli. “Lidhur me shpifjet e ulëta, që fatkeqësisht janë botuar në faqen zyrtare të Kuvendit, institucion që kurrsesi nuk mund të keqpërdoret deri në këtë masë, zyra e shtypit e deputetit Biberaj sqaron se çdo udhëtim zyrtar i z. Biberaj është i protokolluar dhe në database të Këshillit të Evropës.

Fatkeqësisht, zonja Topalli është përpjekur sistematikisht gjatë këtyre 3 viteve të pengojë aktivitetet e z. Biberaj në Këshillin e Evropës, duke mos iu përgjigjur një sërë kërkesash dhe njoftimesh për takime zyrtare të KE, në përmbushje të detyrimeve zyrtare, që rrjedhin nga mandatet e z. Biberaj në KE. Shpenzimet për të cilat shpif zonja Topalli, janë takime zyrtare, të cilat z. Biberaj i ka përballuar me shpenzimet e veta, pasi zonja Topalli nuk është përgjigjur. Gjithsesi, z. Biberaj është i hapur dhe transparent për çdo lloj verifikimi të shpenzimeve. Ai do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të verifikuar këto shpenzime, por në të njëjtën kohë edhe të shpenzimeve për udhëtimet e zonja Topalli”, - thuhet në reagimin e zyrës së shtypit pranë këtij deputeti.

Meta: Letra e Topallit, absurde

Kryetari i LSI, Ilir Meta, e ka quajtur një absurditet letrën e Topallit për shkarkimin e Biberajt. “Nëse ekziston një letër e tillë, do të ishte vërtet një absurditet i padëgjuar më parë, pasi unë mendoj që zoti Biberaj ka qenë tepër aktiv si përfaqësues në Këshillin e Evropës, në Asamblenë Parlamentare. Njëkohësisht, nuk do ta kuptoja një gjë të tillë, pasi as Partia Demokratike, as parlamenti ynë nuk i ka kaq të shumtë deputetët përfaqësues të nivelit të zotit Biberaj, për t’i ndërruar herë pas herë, dhe aq më tepër tani, kur parlamenti ynë për tre muaj mbyllet”, - tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›