G99 më 31 janar bëhet parti, hyn në koalicion me Ramën
Në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës dje, lideri i G99 Erion Veliaj ka treguar disa nga detajet mbi hyrjen në garën elektorale të grupimit politik G99, në një koalicion që, sipas Veliajt, e lidh dëshira për të ndërtuar një Shqipëri përtej tranzicionit. Veliaj ka treguar se për t’iu përshtatur Kodit Zgjedhor, G99 në një asamble të datës 31 janar do të marrë formën e partisë politike.
I pyetur nga VOA se si do të hyjë G99 në zgjedhje, Veliaj tha se deri tani ka pritur të finalizohej Kodi Zgjedhor. “Tashmë që Kodi është aprovuar dhe ka përcaktuar vetëm një formë të garimit politik, G99 do të shndërrohet në një parti politike për të pasur mundësi të hyjë në zgjedhje. Kjo është një procedurë formale, e cila nuk ndryshon asgjë në frymën, idealin dhe energjinë e G99”, - ka thënë Veliaj. Pyetjes nëse Kodi i ri Zgjedhor diskriminon partitë e vogla, Veliaj iu përgjigj: “Nuk mund të përgjigjem si parti e vogël, sepse ne nuk e shohim veten si të tillë. Di të them që ky Kod iu heq mundësinë “të fortëve” të lagjeve dhe “të fortëve të xhepave” të garojnë duke iu dhënë mundësinë të tjerëve të ofrojnë më të mirët në shërbim të publikes.
Pyetjes se me çfarë aksionesh e ka nisur 2009 lëvizja G99, Veliaj ju përgjigj se fushata e parë për këtë vit është një fushatë jo kundër njerëzve, por pro çështjeve. “E nisim këtë vit me një konventë për sigurinë e jetës së shqiptarëve, një temë, e cila pas fatkeqësive të panumërta të vitit të kaluar meriton shumë më shumë vëmendje dhe kujdes sesa zënkat e politikanëve në Tiranë”, - tha Veliaj.
I pyetur mbi zgjedhjen e koalicionit përkrah së cilit do të rreshtohet G99, i majtë apo i djathtë, Veliaj është përgjigjur se në Shqipëri nuk ekzistojnë koalicionet e majta apo të djathta. “Në Shqipëri ekzistojnë vërtet dy koalicione, ai i shkatërrimit dhe ai i ndërtimit. Ai koalicion që rrëzoi buxhetin e bashkisë nuk është as i majtë, as i djathtë. Ai është koalicioni i shkatërrimit. Ne do të jemi në atë koalicion të përbërë nga njerëz që kanë ditur si të ndërtojnë qoftë organizata të suksesshme apo dhe qytete që po rinovohen.”
Pyetjes nëse radhitja në koalicionin e majtë e etiketon G99 larg lëvizjes së suksesshme rinore, Veliaj iu përgjigj se, pavarësisht ndarjes së disa mendimeve të ndryshme mbi çështje si ligji i dosjeve apo kartat e identitetit, ku G99 dhe PS kanë treguar qëndrime të ndryshme, ka shumë gjëra të përbashkëta madhore që i bashkojnë në një ekip dhe më kryesorja është dhënia fund e tranzicionit dhe ndërtimi i një Shqipërie të ndryshme. “Në Shqipëri ajo gjeneratë që tregoi se di të protestojë dhe të kritikojë, ka potencialin shtetbërës dhe është e aftë të sjellë ndryshimin në 2009. Shpresa dhe besimi ynë është që pikërisht të rinjtë që do të votojnë në 2009 do të konfirmojnë se mund t’ia dalim duke e sjelle ketë ndryshim”, - tha Veliaj.