E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia nuk shuan konfliktin, vritet në pritë 46-vjeçari

Ardi Hoti

Viktima Frederik Marku dhe i biri Jurgeni, së bashku me autorin qëndruan një natë në qeli. Sapo dolën, u qëlluan me armë

Ardi Hoti

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje pasdite në qytetin e Shkodrës, ku babë e bir janë qëlluar me breshëri automatiku. Nga përdorimi i armëve të zjarrit, ka vdekur në vend 46-vjeçari Frederik Marku, nga Mirdita, banues në Tiranë, ndërsa i biri, 22-vjeçari Jurgen Marku, është plagosur rëndë dhe është në gjendje kritike për jetën. Sipas Policisë së Shkodrës, autori ashtu dhe viktima, dy orë para ngjarjes, kanë qenë të shoqëruar në polici për një grindje që kishin pasur një ditë më parë. Në momentin që ata janë liruar, ka ndodhur vrasja.

Ngjarja

Në momentin që janë qëlluar, viktima me të birin po lëviznin me automjetin e tyre, kur në afërsi të Spitalit Rajonal të Shkodrës janë qëlluar nga një breshëri automatiku. Për pasojë, shtetasi Frederik Marku, i cili po drejtonte automjetin, ka mbetur i vdekur në vend. Në makinë ndodhej dhe i biri i viktimës, i cili në fillim u mendua se është vrarë për shkak të disa plumbave të marrë, por pas mbërritjes në spital, 22-vjeçari ka dhënë shenja jete, por gjendja mbetet kritike.

Motivi

Shkak i ngjarjes është bërë sherri i një nate më parë në fshatin Theth të Dukagjinit, ku viktima, i cili është dhëndër në këtë fshat dhe kishte nisur ndërtimin e një hoteli në zonën turistike, ka pasur një konflikt me një banor të zonës. Konflikti ka qenë një grindje e çastit e të birit të viktimës me një shokun e tij. Pasi janë përleshur fizikisht, viktima ka shkuar për ti dalë zot të birit dhe ka goditur me qytë pistolete shokun e djalit. Pas ngjarjes, të dyja palët janë shoqëruar në polici, ku kanë qëndruar gjithë natën dhe janë nxjerrë nga policia dje në mesditë pas procedurave të kryera në komisariat, por vetëm dy orë pasi kanë dalë nga ambientet e policisë, palët në konflikt kanë vazhduar sherrin, duke e qëlluar për vdekje shtetasin Frederik Marku, i cili një natë më parë kishte goditur me qytë pistolete një shok të të birit.

Operacioni

Policia pohon se autori është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij, ndërsa identiteti për momentin nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 gëzhoja automatiku, ndërkohë që janë shoqëruar në polici 5 persona në lidhje me ngjarjen.

Precedentët

Masakra e Pukës dhe ngjarja në Seman, për fajin e policisë

Vrasja e Frederik Markut dje pasdite në qytetin e Shkodrës është ngjarja e tretë, e cila ndodh për fajin e policisë. Ngjarja e parë ka ndodhur në Rrethin e Pukës, ku pas një prite, më 29 qershor të këtij viti, u vranë Hil dhe Paulin Markaj. Fisi Premarkaj kishte konflikt me fisin Markaj, madje ishin shoqëruar disa herë në polici. Disa ditë para masakrës, ata ishin shoqëruar në Policinë e Pukës, e cila, pasi mori kallëzimin, nuk veproi me shpejtësi, por i bëri presion viktimave të tërhiqnin kallëzimin. Pas këtij veprimi të policisë, Premarkajt dolën në pritë dhe qëlluan me breshëri autobusin në të cilin udhëtonin Hil dhe Paulin Markaj.

Një tjetër konflikt, për të cilin ka pasur dijeni policia, ka sjellë dy viktima. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në fshatin Seman të Fierit, ku një 34-vjeçar ka qëlluar në drejtim të ish-vjehrrit, pasi besonte se e kishte ndarë nga bashkëshortja. Pas vrasjes së Miço Koçit, autori Gentian Nushi është vetëvrarë me armën e krimit. Pas ngjarjes, familjarët pohuan se për konfliktin kishin lajmëruar policinë, por ajo nuk kishte shkuar në vendngjarje.

Policia nuk shuan konfliktin, vritet në pritë 46-vjeçari burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›