Topalli takon në Itali presidentin Napolitano dhe homologun Fini
Gjatë vizitës zyrtare në Itali, kryetarja e Kuvendit u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës, Xhorxho Napolitano. Presidenti Napolitano tha se po pret me kënaqësi që së shpejti të vizitojë Shqipërinë. Ai vlerësoi progresin ekonomik, social dhe demokratik të Shqipërisë, duke theksuar mbështetjen e plotë të Italisë, jo vetëm për liberalizimin e vizave që pritet të finalizohet në korrik të vitit të ardhshëm, por edhe për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Kryetarja e Kuvendit, në emër të saj, por edhe të Kuvendit të Shqipërisë, tha se mbështetja e një vendi mik si Italia mbetet shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ajo e ftoi presidentin Napolitano që gjatë vizitës së tij në Shqipëri t’u adresohet deputetëve dhe të gjithë shqiptarëve me një fjalim në Parlament, ftesë që u mirëprit nga presidenti italian. Presidenti Napolitano tha "se Italia ka qenë dhe do të jetë gjithnjë një përkrahëse e fortë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa vlerësoi gjithë arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit”. Më tej Topalli zhvilloi një takim me Presidentin e Parlamentit italian, Xhanfranko Fini. Kjo vizitë e kryetares së Kuvendit u cilësua si një dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe si një hap konkret në nxitjen dhe forcimin e mëtejshmëm të këtij bashkëpunimit që ekziston tradicionalisht mes dy vendeve. Duke falënderuar presidentin Fini për gjithë mbështetjen që Italia ka dhënë në sfidat integruese të Shqipërisë, kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin që Italia ka qenë gjithmonë një avokate e Shqipërisë. Presidenti Fini, duke vlerësuar jo vetëm zgjedhjet e fundit, por edhe dinamikën demokratike dhe hapat e mëdha që Shqipëria po hedh drejt Europës, ritheksoi se Shqipëria europiane është, mbi të gjitha, një interes i vetë Bashkimit Europian.
11 Dhjetor 2009