Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Republikës së Çekisë, Vaslav Klaus
Shqipëria vlerëson mbështetjen çeke për integrimin e vendit në BE
Kryeministri Sali Berisha Berisha priti dje në një takim Presidentin e Republikës së Çekisë, Vaslav Klaus. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen Presidentit Çek, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, duke e quajtur një ditë historike për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Çekisë. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe përkrahjen që Klaus dhe Çekia i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë periudhës së demokracisë, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe në procesin e integrimit evropian.
Presidenti Klaus falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe u shpreh se Shqipëria ka pësuar shndërrime të thella gjatë këtyre viteve të fundit, si rezultat i reformave dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe të lidershipit të saj dhe se këto rezultate janë tashmë para syve të të gjithëve.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin çek me zhvillimet në Shqipëri, me luftën e pandërprerë kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe me ecurinë e reformave në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në potencialet e mëdha që ka vendi ynë në turizëm, energji, miniera.
Kryeministri Berisha theksoi se e gëzonte fakti se kishte një rritje të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve dhe se këtë vit, në kuadër të bumit turistik, në Shqipëri erdhën edhe shumë qytetarë çekë.
Kryeministri Berisha u shpreh më tej se investimet e huaja janë një prioritet për qeverinë shqiptare, e cila do të mbështesë edhe investitorët çekë, të cilët janë të mirëpritur në Shqipëri, duke u shprehu i bindur se investimet e tyre do të jenë një histori suksesi. Lidhur me këtë, Presidenti Klaus theksoi se ka një interes të madh të kompanive çeke për projektet në infrastrukturë në Shqipëri. Kryeministri Berisha u shpreh se në Shqipëri po ndërtohet një rrjet infrastrukturor i ri që synon të lidhë me rrugët më të shkurtra, të gjitha qytetet dhe fshatrat e vendit me rrugët nacionale. Por gjithashtu, investitorët çekë, u shpreh kryeministri, janë të mirëpritur edhe në projektet e qeverisë për rinovimin e rrjetit hekurudhor dhe në portet e mëdha në vend.
Gjithashtu, dy liderët biseduan edhe mbi rëndësinë e projekteve të mëdha evropiane që kalojnë nëpër Ballkan, duke i konsideruar ato si shumë të rëndësishme dhe jetike për zhvillimin dhe progresin e vendeve të Ballkanit.
Edhe Presidenti Topi pret kreun e shtetit të Çekisë/Presidenti i Republikës Bamir Topi, u shpreh dje gjatë një takimi të zhvilluar me homologun e tij çek, Vaslav Klaus, se Shqipëria e sheh veten shumë pranë integrimit në Bashkimin Evropian dhe kjo falë përkushtimit të qeverisë dhe faktorëve politikë në vend. Topi vlerësoi marrëdhënien mes të dy vendeve dhe falënderoi Çekinë për mbështetjen që u ka dhënë aspiratave integruese të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe BE. “Marrëdhëniet mes dy vendeve, janë sa tradicionale edhe aktuale. Këto marrëdhënie, duke respektuar traditën në vitet e demokracisë në Shqipëri janë intensifikuar ndjeshëm në të gjitha nivelet. Shkëmbimi i vizitave në nivelet më të larta është tregues i këtyre marrëdhënieve dhe dialogu politik që ekziston gjithashtu, por kjo nuk mjafton. Krahas vizitave dhe dialogut politik, kemi edhe marrëdhënie ekonomike mjaft të vlerësueshme. E informova zotin President për stabilitetin e institucioneve të Shqipërisë, për aspiratën integruese të Shqipërisë. E falënderova për ndihmën që Çekia i ka dhënë Shqipërisë në këtë drejtim. Nuk është e rastit që ne aplikuam për në BE në kohën e presidencës çeke”, u shpreh Topi.
Kreu i shtetit, theksoi se ka mjaft elemente bashkëpunimi mes Çekisë dhe Shqipërisë, që fillojnë me ekonominë, vazhdojnë me turizmin, me kulturën.
Topalli presidentit çek: “Forcimi i marrëdhënieve Shqipëri-Çeki, në interes dypalësh”/Kryetarja e Kuvendit priti dje në një takim Presidentit e Republikës së Çekisë, Vaslav Klaus i cili e kishte vizitën e parë në Shqipëri. Kryetarja Topalli vuri në dukje me kënaqësi se marrëdhëniet mes dy vendeve po forcohen dukshëm si në plan të bashkëpunimit dypalësh dhe atë rajonal. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Çekia ka dhënë Shqipërisë në procesin integrues e ne veçanti në ratifikimin e MSA dhe Protokollit të NATO-s. Nga ana e tij Presidenti Klaus përgëzoi Kryetaren e Kuvendit për rizgjedhjen e saj në drejtimin e Parlamentit shqiptar si dhe i uroi qeverisë Berisha suksese në vijimin e reformave për integrimin evropian të vendit. Presidenti çek tha se, “Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në shumë fusha, duke vënë”, theksin tek ndryshimet në infrastrukturë dhe në reformat e rritjes ekonomike. Duke i bërë një paraqitje të shkurtër të zhvillimeve politike në vend Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “Zgjedhjet e 28 Qershorit plotësuan standardet e OSBE, dhe u kryen në mënyrën më transparente, mundësuar nga një teknologji e nivelit të lartë elektronik”. Duke vijuar se, “për herë të parë, Shqipëria po qeveriset nga një koalicion i zgjeruar mes partive të djathta dhe atyre të majta, e angazhuar për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.
Në vijim biseda u përqendrua në bashkëpunimin mes Shqipërisë e Çekisë në fusha të zhvillimit ekonomik, veçanërisht në sektorin energjetik e turizmit.
Kryetarja e Kuvendit tha se qeveria ka ndërmarrë një sërë reformash që nxisin dhe mbështesin investimet e huaja në vend, dhe në këtë kuadër Kryeministri Berisha me doktrinën e tij ekonomike, theksoi zonja Topalli, ka mundësuar që 10 për qind e GDP të shkojë vetëm për investime”.
...