E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topçinjtë vazhdojnë më tutje

Arsenali e ka përmbysur epërsinë Udineses nga pjesa e parë, për të shënuar fitore prej 2-1 në ndeshjen kthyese të vlefshme për kualifikim në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.

Takimi i parë i zhvilluar në Emirates kishte përfunduar me epërsinë minimale të Topçinjve, ndërsa edhe si mysafirë, të zgjedhurit e Arsene Wenger arritën të fitojnë, për t`iu bashkuar skuadrave më të mira evropiane në fazën grupore të garës më të madhe për klube.

Në gjysmën e parë ekipi vendas u tregua më i saktë duke arritur të shënojë një gol, ndërsa realizues ishte kapiteni Antonio Di Natale (39’).

Nuk kaloi shumë kohë në pjesën e dytë (55’) dhe Robin Van Persie barazoi shifrat pas asistimit të Gervinhos.

Toto Di Natale nuk e pati fatin të shpallej hero i vendasve, pasi që dështoi që ta kthente epërsinë në favor të italianëve, kur goditjen e tij nga pika e bardhë e mbrojti portieri Wojciech Szczesny (59’).

Kjo iu hakmor Udines, duke qenë se Theo Walcott shoi çdo shpresë të vendasve duke shënuar golin e dytë për Arsenalin (69’), dhe duke vulosur kualifikimin e Topçinjve në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.

Në fazën grupore janë kualifikuar edhe Lyoni, Benfica, BATE Borisov dhe Viktoria Plzen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›