E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana do jete ne fushe ne ndeshjen qe Lacio zhvillon neser ne Shkup

Pikërisht në prag të sfidës drithëruese ndaj “gjelave” të Francës në Tiranë, vjen një lajm i mirë për kombëtaren dhe trajnerin Kuzhe. Lorik Cana pritet të jetë titullar në ndeshjen e nesërme të Ligës së Europës, që Lacio do të zhvillojë ndaj Rabotniçkit në Maqedoni.

Trajneri Reja ka vendosur që shqiptari të jetë në fushë, ndërsa duket se përgatitja e Lorikut ka ecur mirë dhe ai është tashmë në prag të formës së tij të zakonshme. Ekziston mundësia që, për shkak edhe të dëmtimit të Brokit, Cana të jetë në fushë si titullar edhe në ndeshjen e parë të kampionatit këtë fundjavë ndaj Kievos.

Përveç gëzimit të fushës, për shqiptarit do të jetë një kënaqësi edhe pritja nga tifozët kuqezinj në Shkup, pasi disa tifogrupe janë organizuar për t’i dhënë një mirëseardhje madhështore, nga e cila do të përfitojë edhe Lacio.

Lacio fitoi 6-0 ndeshjen e parë të turit të fundit eleminator në stadiumin “Olimpiko” të Romës dhe është thuajse 100 për qind e sigurt se do të kualifikohet për në fazën e grupeve.

Cana u transferua këtë verë nga Gallatasaraji i Turqisë në Serinë A, pas bisedimeve të gjata dhe synon që të sigurojë një status të qendrueshëm në ekipin e tij të ri sa më shpejt që të jetë e mundur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›