E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri i Bajernit te Mynihut i kenaqur pas suksesit te skuadres ne Zvicer

Një Bajern dominues e kënaqi trajnerin e tij, Jup Hajnkes. Veterani i stolit u shpreh me fjalë lavdëruese për skuadrën e tij që fitoi 1-0 në Zvicë ndaj Zyrihut dhe tani është në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Vapa e madhe bëri të vetën, por bavarezët ia dolën që të triumfonin.

“Në rregull. Ne, jo vetëm që e arritëm qëllimin tonë për t’u kualifikuar për në fazën e grupeve në Ligës së Kampionëve, por e bëmë këtë në mënyrë shumë bindëse. Nëse shikoni të dyja ndeshjet, suksesi ynë është krejtësisht i merituar. Në këtë ndeshje donim pikërisht të shënonim sa më shpejt dhe kështu ndodhi. Për mua ka rëndësi që ne nuk pësuam gol, ndonëse përballë nesh ishte një Zyrih shumë i ndryshëm nga ai i ndeshjes së parë. Na u desh të lodheshim shumë që ta përballonim. Të mos harrojmë se kanë ndikuar edhe temperaturat e larta të ndeshjes së të shtunës dhe të kësaj ndeshjeje, por lojtarët e mi ia dolën mbanë”.

Kolegu i tij zviceran, Fisher, është i kënaqur edhe pas humbjes, pasi sipas tij skuadra luajti mirë. Veçse, Fisher pranon epërsinë e Bajernit dhe kualifikimin e merituar të gjermanëve.

“Mendoj se ishte fatkeqësi që pësuam gol kaq shpejt. Mendoj se pas atij rezultati, gjithçka ishte vendosur. Por gjithashtu mendoj se skuadra ime tregoi lojë të mirë për mbi 60 minuta. Mendoj se u përmirësuam në ato dobësime që treguam në Mynih, pra për të gjetur rrugën drejt portës dhe për të krijuar raste. Ne pamë se Bajerni ishte shumë i fuqishëm dhe në fund u detyruam të humbisnim dhe të largoheshim”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›