Berisha: Rama punoi kundër ‘Rrugës së Kombit’
Reagon Rama: “Turp, turp, turp që me ‘Rrugën e Kombit’ keni bërë një biznes fitimprurës duke grabitur fondet e atyre taksapaguesve shqiptarë”
TIRANË Gjatë një bashkëbisedimi të gjatë me studentë të Fakultetit të Edukimit, Universiteti i Prishtinës, në ambientet e Kryeministrisë, kreu i ekzekutivit, Sali Berisha ka fajësuar kryetarin e PS-së, Edi Rama, se ai ka punuar kundër ‘Rrugës së Kombit’.
“Zoti Rama, të paktën, me qindra herë është ngritur kundër saj dhe unë dua t’ju them se ‘Rruga e Kombit’ është kundërshtuar në mënyrën më të egër nga lobe antishqiptare dhe së pari, nga jashtë Shqipërisë, të huaj, së dyti, ka pasur mbështetje edhe brenda vendit. Përse u kundërshtua? Përse kishte një armiqësi të madhe ndaj saj? Eksponentë me një formim politik arkaik e konsideronin ‘Rrugën e Kombit’ së pari, si një rrugë që do bashkonte shqiptaret dhe sipas tyre, shqiptarët nuk duhet të bashkoheshin. Së dyti, në rrafshin gjeopolitik, në një vështrim historik të së shkuarës së largët e jo fort të largët, ka ekzistuar gjithnjë një rivalitet midis portit të Durrësit dhe atij të Selanikut, kur është zhvilluar njëri, ka rënë tjetri. Këta individë e grupe mendonin se ‘Rruga e Kombit’ do të dëmtonte thellësisht portet e rajonit. Pikëpamja jonë dhe e vërteta është se këto grupe bënë gjithçka për ta penguar ndërtimin e saj. Por nuk mund ta pengonin, sepse ajo ishte një vepër publike që ndërtohej në territorin e Shqipërisë dhe Shqipëria është një vend sovran dhe vendimet e mëdha i merr vetë, më mënyrën më të qartë”, - tha ai. Berisha pranoi se ishte një rrugë e kushtueshme, por i cilësoi ‘abuzive’ pretendimet e socialistëve për shuma marramendëse të harxhuara për ndërtimin e kësaj rruge. “Natyrisht, unë nuk them se nuk është vepër e kushtueshme, por të shpallësh shuma marramendëse që nuk kanë asnjë dokument e asnjë fakt, tregon se u bëre pjesë e atyre lobeve që luftuan me të gjitha mjetet për të bllokuar ndërtimin e rrugës. Dhe kreu i Partisë Socialiste, me disa të tjera segmente këtu, e kryesoi këtë procesion, por nuk e penguan dot se rruga u ndërtua. Ajo rrugë u ndërtua në trajektoren më të shkurtër të saj. Natyrisht, kjo ishte trajektorja më e kushtueshme e saj”, - shtoi ai. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie. “U informova për çka Saliu ka shprehur sot në prani të studentëve nga Kosova. E kam sfiduar dhe e risfidoj të provojë me një dokument të vetëm, që unë apo cilido nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste të jetë shprehur kundër ‘Rrugës së Kombit’ si projekt. Ndërkohë, që i rithem turp, turp, turp që me ‘Rrugën e Kombit’ keni bërë një biznes fitimprurës duke grabitur fondet e atyre taksapaguesve shqiptarë që kanë kontribuar të gjithë së bashku për ndërtimin e asaj rruge”,- tha Rama.