E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi Bollano, takim për pronat në bregdet

 Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një vizitë pune një ditore në qytetin e Himarës ku ishte i ftuar për të marrë pjesë në Konferencën e II Pan - Himariote me temë “Ndërtimi i vizionit për prioritetet e zhvillimit të rajonit të bregdetit”. Kjo konferencë u organizua nga Bashkia e Himarës me mbështetjen e USAID-EDEM (zhvillimi i ndërmarrjeve shqiptare dhe shërbimit të tregjeve të eksporteve).

Vizita e punës së Presidentit Topi në qytetin e Himarës nisi me një takim në Bashkinë e Himarës me Kryetarin e Bashkisë z. Vasil Bollano dhe me anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Në fillim të këtij takimi z. Bollano i uroi mirëseardhjen Presidentit Topi duke i shprehur njëkohësisht dhe mirënjohjen që pranoi ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë. Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Silvana Burbo përshëndeti gjithashtu Presidentin Topi në emër të këshillit bashkiak duke shprehur njëkohësisht edhe disa nga shqetësimet dhe problemet e kësaj zone.

Në këtë vizitë Presidenti Topi shoqërohej nga Prefekti i Vlorës, z.Agron Sharra, nga deputetët Vangjel Dule, Spiro Peçi, Besnik Dervishi dhe Kristaq Neranxi, si dhe nga Drejtori i Kabinetit z. Dashamir Xhaxhiu dhe nga këshilltarë të Kabinetit.

Godo: Ambasadori grek të shpallet "non gratta"

Një ditë pasi ambasadori grek në Shqipëri, Kostandinos Kokosis ka mbështetur deklaratën e kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano për pavarësi të Vorio Epirit, ka reaguar politikani i njohur Sabri Godo.

Ky i fundit ka kundërshtuar ashpër mbështetjen që ambasadori Grek ka dhënë në mënyrë të tërthortë për kryebashkiakun e Himarës, duke kërkuar nga shtetit shqiptar që të shpallë si një person të padëshiruar për vendin tonë Kostandinos Kokosis.

 Në gjykimin e republikanit Godo, fakti që ambasadori grek bën këtë deklarata do të thotë se Vasil Bollano mbështetet në burime zyrtare. "Ambasadori nuk ka lënë dhe aq shteg për komente sepse ka folur si një sofist i vërtetë.

Nga njëra anë thotë që, nuk duhet të prononcohem për Bollanon, nga ana tjetër thotë se Bollano ka të drejtë.

Tani duket qartë që ky Bollano ka një nxitje, një frymëzim nga një instancë shumë serioze, nga një burim zyrtare, përderisa ambasadori grek, në mënyrë të tërthortë, por që duket fare qartë, del në mbrojtje të ideve të tij.

Kjo tani përbën një shqetësim shumë serioz"", u shpreh gjatë një prononcimi për mediat Presidenti i Asamblesë së Përgjithshëm të PR-së.

Një ditë më parë nga Erseka, ambasadori grek në Tiranë është shprehur se, "nuk besoj se jam në gjendje të flas për zotin Bollano.

Imagjinoj dhe besoj se ato që thotë ai janë të drejta, por edhe në rast se janë edhe të sakta, kjo nuk është një çështje që më takon mua apo më përket mua si diplomat për ta gjykuar apo komentuar".

Kërkesa për Bollanon

Gjatë prononcimit të djeshëm për mediat, Sabri Godo i është rikthyer sërish deklaratave të kreut të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano mbi pavarësinë e krahinës së ashtuquajtur Vorio Epir.

Godo, i cili është dhe Presidenti i Nderit në Asamblenë e Përgjithshëm të PR-së, ka ripërsëritur kërkesën e tij që Kryeministri Sali Berisha të shkarkoi kryebashkiakun Vasil Bollano për deklaratat e tij për pavarësi të ashtuquajturit Vorio Epir.

Madje, në gjykimin e politikanit të njohur është e pa tolerueshme heshtja e deritanishme e qeverisë shqiptare. Më këtë heshtje, theksoi më tej Sabri Godo, qeveria shqiptare po shkel dhe Kushtetutën e vendit, ku përcaktohet qartë dhe ruajtja e tërësisë territoriale.

"Shumë zëra janë bashkuar me mendimin që Kryeministri duhet të ndërhyjë dhe ta pushojë zotin Bollano, si një njeri të padëshiruar për administratën tonë publike.

Pra, janë bërë shumë kërkesa nga deputetë të ndryshëm, që i drejtohen kryeministrit që ai, më në fund, të hapë gojën dhe të flasë, dhe jo vetëm kaq, por edhe të veprojë konform detyrimeve që ka ndaj Kushtetutës.

Nuk mund të jetë kjo si një dialog ndërmjet shurdhëve që një palë flet dhe pala tjetër nuk dëgjon, sepse nuk ia ka ënda të dëgjojë. Kjo është një situatë e patolerueshme", tha republikani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›