E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi -Jahjaga: Njohjet e mëtejshme, të pandalshme

Njohja e pavarësisë së Kosovës po shënon rritje çdo ditë e më shumë, duke e bërë këtë një proces të pandalshëm. Kështu është shprehur presidenti Bamir Topi, gjatë një takimi që mbajti në Vlorë me presidenten e Kosovës, Ahtifete Jahjaga.

Zyra për shtyp e presidentit Topi njofton se presidenti, “duke vënë në dukje rolin në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajonin ballkanik, ka thënë se procesi i pandalshëm i njohjeve të reja të Kosovës po shënon arritje të reja përditë e më shumë”. Kreu i shtetit shqiptar ka vlerësuar arritjet përsa i përket ushtrimit të pushtetit nga ana e qeverisë së Kosovës në të gjithë territorin, funksionimin e rendit kushtetues dhe shtetit ligjor, dhe ka nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së shtetit më të ri multi-etnik dhe demokratik të Kosovës në forume rajonale e ndërkombëtare.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga është shprehur se Kosova gjithnjë e më tepër po shndërrohet në një faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, paqeje dhe qëndrueshmërie në kuadër të integrimit të përbashkët rajonal.

Pjesë e bisedës ka qenë dhe bashkëpunimi politik dhe ekonomik në të gjithë fushat mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta për rritjen e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Në këtë takim dy presidentët shoqëroheshin nga bashkëshortët.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›