Topi: 20 shkurti, dita e viktimave të komunizmit
TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dekretuar dje ligjin “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”, edhe pas ankesave të ish-të përndjekurve. Pak ditë më parë, përfaqësues të shtresës së ish-të përndjekurve politikë, drejtues të sindikatave të pavarura, përfaqësues të shoqërisë civile, i kërkuan presidentit Bamir Topi të mos e dekretojë ligjin e propozuar nga qeveria, që përcakton datën 20 shkurt si ditë të përkujtimit të viktimave dhe krimet e komunizmit. Ata pretendojnë se “emërtimi qeveritar i 20 shkurtit nuk pasqyron anën historike të ngjarjes dhe kontributin e madh të popullit tonë”. “Kërkojmë që ky projektligj të rishqyrtohet përsëri nga organet përkatëse shtetërore, duke marrë parasysh kërkesat e popullit tonë, që ishte protagonisti kryesor i kësaj dite, i udhëhequr nga sindikatat e pavarura dhe shtresa e ish-të përndjekurve politikë, dhe jo nga parti politike”, thanë ish-të përndjekurit. Sipas tyre, i takon popullit shqiptar si fitimtar, të caktojë vetë emërtimin e kësaj dite me rëndësi kombëtare dhe jo nga individë dhe parti politike, sepse do të ishte gabim i madh historik, politik, kombëtar dhe i pluralizmit, që brezat e ardhshëm do ta korrigjojnë. Por edhe pas takimit me përfaqësues të ish-të persekutuarve, presidenti Topi ka dhënë ‘OK’-in e tij për të përkujtuar viktimat e komunizmit pikërisht në 20 shkurt, ditën kur qytetarët e Tiranës rrëzuan bustin e diktatorit në qendër të Tiranës. Topi ka vënë firmën edhe në ligjin “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”.
(s.g/BalkanWeb)
(s.g/BalkanWeb)