E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, arrestohen 3 oficerë policie

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, arrestoi sot tre efektiva të policisë së Vlorë, me akuzën e "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën".
Në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme lëshuar pak minuta më parë, thuhet se sot më 18 mars 2010, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Ministrisë së Brendshme kreu arrestimin e tre punonjësve të policisë të Komisariatit të Policisë Vlorë.
Të arrestuarit janë:
1-Inspektor, Musa Hysen Nushi, i vitlindjes 1951
2-Inspektor, çobo Nuro Sakaj, i vitlindjes 1965
3-Inspektor, Muhamet Hatem Sulejmani, i vitlindjes 1967.
Sipas hetimeve të Ministrisë së Brendshme, të tre të arrestuarit kryenin funksionin e trupës së shërbimit në pikën e bllokimit të automjeteve.
"Arrestimi i inspektorëve Nushi, Sakaj dhe Sulejmani, u krye pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë më datë 18.03.2010 caktoi për ta masën e sigurisë "arrest në burg pa afat", thuhet në deklaratë.
Sipas saj, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë kishte zhvilluar ndaj tyre hetime për veprën penale të "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën", parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal.
"Këta punonjës të policisë, duke qenë me shërbim, në kohë të ndryshme dhe më shumë se një herë kanë vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve të bllokuara nga policia, duke ua shitur ato personave të tretë", tha Ministria e Brendshme.
Sipas saj, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›