Topi: 21 janari? Njëra palë thotë hip se të vrava, tjetra zbrit se të vrava
Intervistë e presidentit Topi dhënë për emisionin Zona B të gazetarit Baton Haxhiu në TV KlanKosova
Gazetari: Përshëndetje, zoti President! Është kënaqësi që të nisim një bisedë pas daljes së një bisede goxha të rëndë, të cilën e kalova në Beograd. Ndoshta e rëndë profesionalisht, por që kërkon edhe përgjigjen e Presidentit shqiptar në të gjitha ato, të cilave realisht përgjigje u dha edhe Presidenti i Serbisë, Tadiç.
Presidenti Topi: Mirë se keni ardhur! Është kënaqësi!
Gazetari: Atëherë, raporti me Serbinë është raport i ftohtë, që një kohë të gjatë, edhe për shkak të të kaluarës, siç thuhet e folëm, për shkak të Kosovës dhe gonocidit që regjimi i Millosheviçit bëri në Kosovë. Për fillim, a mund ta ndani ju raportin me shtetin serb, të ndryshëm nga ai që e ka Kosova me Serbinë, apo ju, së pari duhet ta rilaksoni këtë marrëdhënie që më vonë të vazhdojë këtë, të njëjtën gjë ta bëjë edhe Kosova?
Presidenti Topi: Do të doja të thoja në fillim, që çështjet e raporteve bilaterale në rajonin tonë ballkanik, patjetër kanë qenë të influencuara edhe nga zhvillime të karakterit historik, që kanë prekur direkt apo indirekt interesat e Kosovës. Këtu dua të jem i hapur, dua të jem i qartë, dhe ky ka qenë padyshim qëndrimi konstant jo vetëm i imi personal, apo i Institucionit të Presidentit, por edhe i institucioneve shqiptare në përgjithësi. Dua të them menjëherë që situata politike në Ballkanin Perëndimor sot ka një realitet të ri. Kemi një ndryshim të rëndësishëm gjeo-politik. Qysh prej shkurtit të vitit 2008, Kosova është një shtet i lirë, sovran, i pavarur dhe patjetër ka institucionet e veta. Padyshim, duke iu referuar raporteve me shtetin e Serbisë, i cili në fakt është formalisht një derivat i zbërthimit të ish-Jugosllavisë, patjetër që kanë një nuancë të caktuar. Janë marrëdhënie të cilat kanë pasur, sikurse thashë, një retrospektivë historike të caktuar, janë raporte që edhe në kohët moderne, tentojnë me shumë vështirësi që të futen në një rrjedhë normale, sepse gjithmonë e kemi thënë, që në mes ka qenë dhe vazhdon të jetë çështja e Kosovës.
Gazetari: Rrjedhë normale, por, zoti Tadiç, në Beograd tha se megjithatë duhet ta zbërthejmë edhe konfliktin 130-vjeçar shqiptaro-serb. Ai e quajti që duhet të ketë një marrëveshje historike shqiptaro-serbe. Nuk përmendi asnjëherë që duhet të ketë marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë. Si e trajtoni ju këtë problem?
Presidenti Topi: Sot unë mendoj që çështjet duhet të kalojnë në një plan shumë të formalizuar institucional. Tendenca për ta kaluar në terma të përgjithshme, tendenca për mos ta futur në institucionet, unë mendoj që është një tendencë për tiu larguar institucioneve që sot ne i konsiderojmë legjitime në Kosovë. Unë i kam bërë një ftesë zyrtare Presidentit Tadiç. Me siguri edhe ai, ju ka njoftuar atje, gjatë bisedës së tij. Dhe kjo është bërë pikërisht për të demonstruar edhe njëherë politikën e shtetit shqiptar, të institucioneve të Shqipërisë, të politikës në përgjithësi, që Shqipëria dëshiron të ketë marrëdhënie normale, marrdhënie të mira, marrdhënie ku dialogu politik të jetë në një nivel tjetër, ku marrëdhëniet diplomatike të jenë normale, ku marrëdhëniet ekonomike të fillojnë dhe të zhvillohen në interes të popujve dhe të vendeve tona. Padyshim, e kam thënë, vazhdoj ta them dhe nuk është asgjë e re, që ne me Serbinë na ndan pozicionimi ndaj Kosovës.
Gazetari: Jo e kaluara?
Presidenti Topi: Unë mendoj që e kaluara, sigurisht ka pjesën e vet, por në kontekstin politik aktual, besoj që çështja e Kosovës, debati që po zhvillohet për Kosovën, debat, i cili bëhet nga pozicione totalisht të ndryshme, Kosova është një shtet i njohur nga vendet kryesore demokratike, nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tenton të rrisë numrin e saj. Ndërsa pozicioni i Serbisë është ai që është, është i ngurtë, është inert, është refraktar ndaj të gjitha tendencave të politikës moderne evropiane dhe euroatlantike. Ka një lloj ambiguiteti të shprehur, nga njëra anë, Serbia me të drejtë kërkon të futet në Bashkimin Evropian, ndërkohë që substancialisht është kundër në esencë të politikës së Bashkimit Evropian që njeh Kosovën. Ka një mision të sajin në Kosovë dhe tenton që Kosova të jetë në të ardhmen pjesë e familjes evropiane.
Gazetari: Mirë. Atëherë, zoti President, Bamir Topi si President i Shqipërisë, e ka para vetes një President, i cili ka ambicie të integrohet në Evropë dhe e ka këtë ambiguitet brenda vetes, e do edhe Evropën, edhe Kosovën. Por, këtë e kërkon përmes një marrëveshjeje historike shqiptaro-serbe. Për Presidentin e Shqipërisë, çfarë do të thotë, si zbërthehet termi ose ky togfjalësh marrëveshja historike shqiptaro-serbe, apo ju nuk e keni fare në axhendë këtë?
Presidenti Topi: Unë sigurisht e di që shqiptarët sot për shkak të një fati të caktuar historik, sot jetojnë në Shqipëri, jetojnë në Kosovë, jetojnë në Maqedoni, jetojnë në Mal të Zi. Pra, në kontekstin e një marrëveshjeje të shprehur nga zoti Tadiç, marrëveshje shqiptaro-serbe, patjetër që duhet të ketë mbrapa institucionet e vendeve ku janë shqiptarët. Pra, ne kur themi që dëshirojmë të ndërtojmë marrëdhënie të mira, këto padyshim që janë marrëdhënie politike të institucionalizuara. Shtetet tona nuk shkojnë në ambiciet e personazheve, sado të rëndësishëm që të jenë në politikë. Çdo ambicie personale, çdo ambicie që është përfaqësuese e një shoqërie të caktuar, vjen dhe legjitimohet në institucionet e secilit vend. Sot, Shqipëria ka institucionet e saj. Sot, Kosova ka institucionet e saj. Edhe shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e rëndësishme e veprimeve dhe funksionime institucionale që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Dhe shqiptarët në Mal të Zi, ndonëse kanë problemet e tyre, tentojnë që të fitojnë legjitimitetin, në ushtrimin qoftë në pushtet qendror, qoftë në Parlamentin e Malit të Zi, por qoftë edhe në pushtet vendor. Nga kjo pikëpamje, gjërat kanë nevojë të sqarohen dhe unë mendoj që marrëdhëniet më të mira janë vlerësimi i marrëdhënieve politike, institucionale, shtetërore, në secilin vend, pra, aty ku vërtet ekziston dëshira, vullneti politik që këto marrëdhënie të çlirohen nga paragjykime, të vendosen në ekuivalencë të plotë, pavarësisht nëse është Shqipëria apo është Kosova.
Gazetari: Mirë, atëherë, ai në një mënyrë apo tjetër kërkoi që, në një të ardhme të afërt, në një takim për një lloj marrëveshje historike, ta bëjë edhe me ju, edhe me zotin Berisha, edhe me përfaqësuesit legjitimë, siç tha në Kosovë, që nuk i mohoi. Por, a mendoni se më shumë ka kërkuar një ndërmjetësim nga Shqipëria, një ndihmesë nga Shqipëria, që të zgjidhet kjo marrëdhënie apo realisht ai mendon që Shqipëria është vendi, i cili mund ta zgjidhë problemin, ose ta zgjidhë problemin shqiptaro-serb, ose Kosovë-Serbi?
Presidenti Topi: Unë mendoj që secili vend luan rolin e vet domethënës në marrëdhëniet. Ne kemi patur mjaft raste që jemi takuar edhe në tavolina të rrumbullakta. Padyshim, kemi patur rastin të shprehim të gjitha intensionet e politikës integruese të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe në familjen euro-atlantike. Padyshim kemi pasur raste kur kemi debatuar. Pra, është një çështje e cila është në evoluim nga pikëpamja e ndërtimit të marrëdhënieve midis vendeve tona.
Gazetari: Asnjëherë nuk është kërkuar nga ju që të ndërmjetësoni që të zgjidh