Topi: “Vendimi për Sollakun pas rezultateve të komisionit”
Autori i Lajmit: Suela TopiPresidenti i Republikës, Bamir Topi, i kundërpërgjigjet ish-kreut të Grupit Parlamentar Socalist, Ben Blushi, i cili akuzoi Kreun e Shtetit që ka blerë me lekë postin e tij dhe si të implikuar në çështjen “Sollaku”. Topi paralajmëroi çdo deputet, por në veçanti socialistin Blushi, për të cilin tha se e kishte falur këtë herë, se do t u drejtohet organeve të drejtësisë për çdo shpifje që cenon autoritetin e institucionit të Presidentit. “Ky person, që herë pas here merr pozicione komike, ka konsumuar elemente që i referohen Kodit Penal, që kanë të bëjnë me shpifjen ndaj pozicionit të Presidentit. Ju siguroj se, në një rast të përsëritur, do të merret drejtësia, sepse ai cenon figurën e autoritetit të Presidentit”, - u shpreh Topi. Lidhur me çështjen “Sollaku” ai pohoi se në fund të gjithë këtij procesi do të kërkohet një institucion i konsoliduar, ndërkohë që vendimi i tij do të jepet vetëm kur në tryezë t i venë përfundimet e komisionit hetimor. Ndërsa lidhur me Kosovën, ai konfirmoi se edhe në Bruksel ka pohuar se paketa “Ahtisari” është zgjidhja më e mirë. Pas takimeve në Bruksel, Topi do të nisë të hënën turin e tij në vendet e Ballkanit duke nisur nga Maqedonia. Kreu i Shtetit pranoi se Shqipëria i ka të gjitha shanset për të marrë ftesën për anëtarësim vitin e ardhshëm.
Sollaku
Presidenti deklaroi dje se nuk do të ndërhyjë në punën e Parlamentit dhe komisionit hetimor ndaj kryeprokurorit Theodhori Sollaku deri në momentin që do të ketë një shkresë në tryezën e tij. “Me çështjen “Sollaku” do të merrem kur të vijë në tryezën e Presidentit”, - u shpreh Topi. Kreu i Shtetit pohoi se në fund të këtij procesi do të kërkohet një institucion i Prokurorisë mjaft i konsoliduar dhe, në rast se do të bëhet fjalë për një emër të ri, ai do të zgjidhet nga fusha e drejtësisë, pa u katapultuar nga politika. Ndërkohë që duke u ndalur në akuzën e ardhur nga ish-homologu i tij në Parlament, Presidenti dha disa argumente që, sipas tij, e shtyjnë zotin Blushi të shpifë kundër Kreut të Shtetit. “Ky personazh po jeton dramën e dështimit të tij. Në Parlament ne kemi pasur një pozicion të barabartë, por njëri u ngjit në pozicionin më të lartë te shtetit dhe tjetri shkoi në anonimat. Në kohën kur po diskutohej për zgjedhjen e Presidentit nga populli, e kam pyetur Blushin se përse nuk e pranonin referendumin për Presidentin dhe ai m u përgjigj: Ti fiton më shumë se 80 për qind të votave”, - u shpreh Topi.
Kosova
Nëse në fund të bisedimeve 120-ditore nuk ka një konsensus për zgjidhjen e statusit të Kosovës, atëherë Shqipëria do të mbështesë planin e Ahtisarit. Ky është qëndrimi që presidenti Topi i ka përcjellë Kryetarit të KE-së gjatë takimit që zhvilloi me të. Sipas Topit, Barroso ka përshëndetur rolin e Shqipërisë, që ka qenë mjaft i kujdesshëm. Ai shtoi se marrja e statusit të pavarësisë së Kosovës do të kthente në mënyrë definitive paqen dhe stabilitetin në rajon dhe do të bënte që Serbia të çlirohej psikologjikisht nga retorikat e luftës, nga retorikat e mospajtimit me politikat e paqes dhe t i kthehet, sikurse të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, aspiratës për t u integruar politikisht në Bashkimin Evropian.
Ky lajm është publikuar: 27/10/2007