Presidenti: “Shqipëria shumë pranë integrimit në NATO”
Autori i Lajmit: Red.“Brukseli vlerëson progresin që ka bërë vendi ynë në të gjitha fushat, si dhe mbështet aspiratën e Shqipërisë për integrim në NATO”, - tha Kreu i Shtetit pas dy vizitave të rëndësishme në Bruksel, dhe konkretisht për takimin e organizuar në selinë e NATO-s, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, si dhe për takimin me Presidentin e KE-së, Barroso, dhe me Komisionerin për Zgjerimin, Oli Rehn. Duke i konsideruar si mjaft të suksesshme këto vizita, Topi vuri në dukje se ka një perceptim tjetër për Shqipërinë, dhe vendi ynë sot ndodhet më shumë se kurrë, afër integrimit në Aleancën e Atlantikut, gjë që shikohet jo vetëm nga komunikimi i drejtpërdrejtë me shefin e Selisë së NATO-s, por edhe gjatë një komunikimi, në një drekë pune me 22 ambasadorë të vendeve të kësaj organizate. Ai tha më tej se Presidenti i KE-së, inkurajoi që reforma elektorale të jetë e lidhur ngushtë me regjistrimin e popullsisë, me kartat e identitetit, që janë detyrime, të cilat patjetër duhet të realizohen përpara zgjedhjeve politike të vitit 2009. Ndërsa Rehn, sipas Topit, vlerësoi se Reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme dhe realizimi i plotë i saj i jep nota pozitive Shqipërisë.
Ky lajm është publikuar: 27/10/2007