Eno Peçi, balerini i koncertit të fillimvitit në Vjenë
Alma Mile
Për të, kërcimi nëpër ato sallonet e famshme, luksoze nuk është ndonjë ngjarje e madhe. Quan më të rëndësishme rolet solistike, që ngjiten në skenën e vërtetë, por për ata që munden ta shohin përmes ekraneve televizive, është diçka e paimagjinueshme. Ndryshe nga e gjithë bota, që në ato momente ngrenë gotat dhe urojnë njëri-tjetrin, balerini Eno Peçi e kalon momentin e ndërrimit të viteve duke kërcyer në Vjenë. Balerini shqiptar, që prej 8 vjetësh është pjesë e trupës së baletit të Teatrit Shtetëror të Operës dhe Baletit në Vjenë, ishte pjesë e koncertit të famshëm të fundvitit, që prej vitesh zhvillohet në kryeqendrën austriake. U bënë vite tashmë që Peçi është një ndër balerinët që marrin pjesë në këtë koncert madhështor e që kërcejnë valset e famshme të Shtrausit në datën 1 janar. Këtë vit koncerti u transmetua në 71 televizione dhe 300 radio ne të gjithë botën, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Kështu që miliona sy, kanë mundur të admirojnë jo vetëm virtuozitetin e orkestrës, por edhe performancën e balerinëve të veshur me frak e fustane balloje e sigurisht mes tyre edhe lëvizjet e Peçit. Edhe një vit më parë ai ishte një ndër solistët e këtij koncerti dhe një nga interpretimeve të tij, mund të ndiqet edhe përmes internetit. Balerini shqiptar është larguar në një moshë fare të re nga Tirana, pa mundur të ngjitet asnjëherë në skenë me një rol të vërtetë. Pasi ndoqi shkollën në Vjenë, ai u bë pjesë e trupës së baletit të Teatrit më të rëndësishëm në botë, sa i përket muzikës klasike. I riu shqiptar do të rritej shumë shpejt dhe do të shënonte suksese të njëpasnjëshme. Ka interpretuar role të rëndësishme dhe jo rrallë herë gazetat dhe revistat profesioniste të baletit kanë shkruar për balerinin shqiptar, duke vlerësuar mënyrën e tij elegante të së kërcyerit. Vetëm pak kohë më parë, në muajin nëntor, Peçi u ngjit për herë të parë në një skenë shqiptare. Ai interpretoi një pjesë nga baleti “Spartakus”, së bashku me partneren e tij, në skenën e Pallatit të Kongreseve, gjatë spektaklit “Dua më shumë Shqipërinë”, ku ishte i ftuar i regjisores Vera Grabocka. Ashtu si çdo vit programi i koncertit të Vjenës përmbajti më së shumti vepra të familjes Shtraus, të cilat u interpretuan nga orkestra filarmonike e Vjenës nën drejtimin e dirigjentit izraelito-argjentinas Daniel Barenboim, i cili shfrytëzoi rastin që të bënte edhe një apel paqeje në Lindjen e Mesme. Drejtimi i izraelito-argjentinasit shënoi edhe një tjetër risi. Krahas valseve të Shtrausëve, përfshiu në program edhe një pjesë të një tjetër kompozitori të madh austriak Josef Haydn, duke hapur siparin e aktiviteteve që do të zhvillohen këtë vit me rastin e 200-vjetorit të vdekjes së kompozitorit. Barenboin ndoqi hapat e dirigjentëve më me zë në botë, që kanë drejtuar këtë koncert, si Herbert von Karajan, Zubin Mehta, Riccardo Muti, Seiji Ozawa dhe Lorin Maazel, të gjithë të përzgjedhur me shumë kujdes mbi bazën e eksperiencës si drejtues orkestrash të mëdha.
Peçi, 10 vjet në Vjenë
Eno Peçi lindi në Tiranë në vitin 1982. Në vitet 1994-1998 studion në shkollën e baletit në Tiranë. Më 1998-2000 ndjek shkollën shtetërore të baletit në Vjenës. Në vitin 2000 ai u bë anëtar i Teatrit të Operës e Baletit të Vjenës, ndërsa në vitin 2003 u bë gjysmësolist. Ndër pjesët e tij më të rëndësishme numërohen tek “Spartaku” i Renato Zanelas dhe “Impresionet e Çajkovskit” të Ivan Kavalaris, “Mjekërkuqi”, “Liqeni i mjellmave” të Rudolf Nurejevit, “Maçoku me çizme” dhe “Pas de qatre” te “Bukuroshja e fjetur” e Peter Wright, “Kopelia”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Onegini”, “Ashtu siç ju pëlqen”, “Borëbardha”, “Arrëthyesi”, “Trimajëshi” i Leonide Massine, “Ballo e kadetëve” të Zanelas, “Slingerland pas de deux” të William Forsajt, “Vend i boshatisur”, “Duo koncertante”, “Voyage”, “Sacre” dhe “Bolero” Petrushka”, etj.