Subashi: Të hapen të gjitha kutitë e Tiranës
Ndryshe nga shumica e djathtë e KQZ, nënkryetarja Subashi ka propozuar dje që procesi i hapjes së kutive të bëhet për gjithë Tiranën. Duke debatuar me përfaqësuesit e djathtë mbi ligjshmërinë e procesit të numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara nga KQZ-ja, Subashi ka këmbëngulur se një zgjidhje për këtë problematikë të krijuar me anën ligjore të këtij veprimi, do të ishte vetëm hapja tashmë e të gjitha kutive ku votuan qytetarët e Tiranës më 8 maj. Kjo sipas saj do të krijonte mundësinë që të hetohej procesi në tërësi, për të nxjerrë se ku ka çaluar dhe se nëse votat që po numërohen nga KQZ pasqyrojnë vërtetë vullnetin e qytetarëve të Tiranës. “Meqë ju e keni nisur këtë proces, që në tërësinë e vet është joligjor, unë mendoj se do të ishte më mirë që të hetonim të gjithë njësinë. Pra të hapim të katra kutitë ku kanë hedhur vota shqiptarët për të 485 qendrat e votimit. Vetëm kështu do shihnim nëse votat e gjetura në këto kuti mungojnë në kutitë e tjera”, - tha Subashi. Duke iu përmbajtur kësaj ideje, ajo ka këmbëngulur se KQZ nuk ka kompetencë që të numërojë votat e vlerësuara më parë nga KZAZ-të përkatëse. Gjithashtu, ajo ka theksuar se Kodi Zgjedhor nuk parashikon krijimin e një KZAZ-je të madhe, siç edhe po e trajton veten KQZ në këto tri ditë, ndaj s’mund të hyjë në vlerësim votash dhe në ndryshim të tabelave të rezultateve të qendrave të votimit. Sipas kësaj, një gjë e tillë mund të ndodhë në një proces tjetër, në atë të ankimimit që subjektet zgjedhore mund t’i bënin procesit të numërimit të votave në KQZ. Por edhe një herë, anëtarët e djathtë të këtij institucioni kanë sqaruar se Kodi parashikon që përsa i përket Bashkisë së Tiranës, është KQZ ajo që merr rolin e KZAZ-së dhe që shpall rezultatin e zgjedhjeve, si çdo KZAZ tjetër në vend.