E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën vetëm në Bruksel

ANKARA-“Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në Bruksel”, kështu është shprehur Presidenti Bamir Topi sot nga Ankaraja, ku në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi ka realizuar dhe një konferencë me gazetarë.

I pyetur nëse ka probabilitet takimesh ose bisedimesh informale për një bashkim të Kosovës me Turqinë, kreu i shtetit shqiptar tha. “Unë e kam thënë dhe shumë herë të tjera, sepse gazetarët, pavarësisht nga njëri-tjetri, e bëjnë gjithnjë këtë pyetje, por nga unë kanë marrë gjithnjë të një përgjigje, pavarësisht se kur është bërë pyetja. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete, të cilat kanë një aspiratë. Edhe Shqipëria edhe Kosova dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në kuptimin simbolik bashkimi, unë e kam thënë vazhdimisht këtë, ndodh në Bruksel, siç do të ndodhë për të gjitha vendet e tjera. Dhe ju e dini simbolikën e Brukselit. Është edhe qendra administrative e Evropës së Bashkuar, por atje është dhe selia e NATO-s. Kështu që në të dy simbolikat Shqipëria dhe Kosova në perspektivë do të takohen, në vijim të pyetjes suaj, në Bruksel”.

I pyetur rreth Kosovës, Topi theksoi se situata në Kosovë është e pakthyeshme përsa i përket pavarësisë dhe funksionimit si një shtet sovran dhe i pavarur.
“Kjo është demonstruar edhe nga shtetet më të fuqishme të planetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica dërrmuese e shteteve të Bashkimit Europian, nga Turqia. E kam pasur rastin ta risjell së bashku me vullnetin e Presidentit Gyl këtë temë, ku kam gjetur një vullnet solid të autoriteteve të Turqisë për të mbështetur njohjet e reja të Kosovës”.
Ndërsa sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi, Topi tha se Shqipëria ka mbështetur bisedimet dhe i ka inkurajuar këto bisedime. “Natyrisht, këto bisedime, sikurse janë shprehur edhe institucionet e Kosovës, do të realizohen për të gjitha çështjet me interes reciprok të karakterit teknik, por nisur nga pozicione të sovranitetit, që do të thotë që Kosova dhe Serbia bisedojnë si dy vende sovrane e të pavarura”.

Ndërsa lidhur me situtanë në Ballkan, Presidenti shqiptar tha se sot më shumë se kurrë ballkani reflekton një situtatë krejt tjetër nga Ballkani plot konflikte disa vite më parë dhe se shqiptarët kanë qenë kontribues në këtë stabilitet.
“Ka një ndryshim të jashtëzakonshëm me vite përpara. Ballkani i mbushur me konflikte ndëretnike sot është në një situatë krejt tjetër. Kjo edhe falë politikës së Shqipërisë, por dhe falë shqiptarëve në rajon. Shqiptarët në rajon nuk janë pak, jetojnë në Shqipëri, jetojnë në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi dhe, një pjesë e rëndësishme e emigracionit të ri, në Greqi. Të gjithë së bashku i kanë kontribuar stabilitetit të marrëdhënieve dhe komunikimit midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›