Tirana, tjetër shtyrje e deklaratës së Asamblesë
Ndëshkimet
Edhe pse ka më shumë se 32 orë që ka përfunduar Asambleja e jashtëzakonshme e klubit Tiranës, ende nuk është dalë më një deklaratë zyrtare rreth vendimit që do të merret në lidhje me incidentet e dhunshme në derbin e fundit në “Qemal Stafa” mes bardhebluve dhe Dinamos kryesuese. Gjithçka ishte parashikuar të bëhej publike dje, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Drejtuesit e 24 herë kampionëve të Shqipërisë kanë njoftuar se shpallja e deklaratës do të shtyhet edhe për 24 orë të tjera. Pra sot do të mësohet se cili do të jetë qëndrimi zyrtar i klubit bardheblu, i cili nëpërmjet Asamblesë së jashtëzakonshme, të mbajtur të mërkurën, ka kërkuar të reagojë ndaj dënimeve të rënda të dhëna nga disiplina: 4 ndeshje pa tifozë dhe 300 mijë lekë gjobë për klubin e Tiranës, 1 vit pezullim për trajnerin Alban Tafaji dhe 8 ndeshje pezullim plus 100 mijë lekë gjobë për kapiteni Devis Mukaj. Edhe pse më parë ishte deklaruar se bardheblutë mund të vendosnin për bojkotin e kampionatit, tashmë kjo pistë duket se ka rënë përfundimisht. Drejtuesit e Tiranës dhe kryesia e klubit, deklaruan se do të apelojnë vendimet e Komisionit të Disiplinës, pasi sipas tyre, këto vendime ishin të tejkaluara. Ndërkohë që skuadra vazhdon të stërvitet normalisht për ndeshjen e radhës.
#