E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Berisha le të vijë t’i tregojë Tiranën

 Ai foli edhe për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke i konsideruar si të pandershme dhe të bëra për qëllime tërësisht politike të dy liderëve të partive politike.

“Pikërisht në prillin e vitit 2008 ka pasur një marrëveshje, e cila sot konsiderohet nga analistët, edhe nga vetë politika, si një marrëveshje jo e ndershme e bërë nga kryetari i mazhorancës dhe nga kryetari i opozitës për ndryshime të forta kushtetuese, pa u konsultuar, pa e bërë debat me konstitucionalistë, por për hir të interesave personale të pushtetit të secilit. Secili mendonte se do të kishte të gjitha pushtetet e mundshme. Natyrisht në një marrëveshje jo të ndershme, dikush doli me të gjitha pushtetet dhe dikush i humbi të gjitha pushtetet. Presidenti, si Kryetar i Shtetit, patjetër edhe si garant i interesave të publikut, e bëri në kohë të ditur atë fenomen që po ndodhte, dhe sot, pas kaq vitesh, patjetër që vërtetohet plotësisht ajo që unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them. Dhe nuk është aspak e vërtetë që erdhi ky moment për të folur”, theksoi Topi për Vizion Plus. 

Topi përgjigjet edhe për akuzat e kryeministrit në lidhje me pronat të familjes Topi në Tiranë, ku sipas kreut të Shtetit, të gjitha janë shpifje. Ai shprehet se kryeministri ka denigruar familjen e tij. “Mos u fut më tej tek familjet, sepse është bërë zakon që në të gjithë fjalorin e tij të futet nëpër familje, bën diversion midis burrit dhe gruas, midis motrave, midis vëllezërve! Pra, kjo është sjellja më e shëmtuar që është patjetër një inerci e dukshme jo thjesht e një mentaliteti komunist, por edhe e një njeriu të lidhur shpirtërisht me komunizmin, i cili në mënyrë shumë të suksesshme, ka filluar ta bëjë edhe pjesë të kësaj bote të lirë e demokratike ku jetojmë sot”, apelon Presidenti.

Më tej, Topi shprehet duke iu drejtuar Berishës: Nëse nuk e njeh Tiranën, në rast se nuk ke këshilltarë të aftë për të të orientuar në punë, atëherë do ta marr shumë miqësisht, përdore për t’i treguar se si është konfiguruar Tirana, sepse Tirana nuk është vetëm zyra e Kryeministrisë, por Tirana është shumë e madhe. Ka një popullsi, e cila sa vjen edhe rritet ku popullsia autoktone, i ka mirëpritur në vite dhe këtu është bukuria e këtij qyteti, që sot është gati një milion banorë, ku ka kultura të ndryshme përfaqësuese dhe falë këtij komunikimi qytetar, sot Tirana është një kryeqytet i jetueshëm mirë”.

“Kjo për ta orientuar dhe për t’i thënë jo vetëm ku janë tokat e mia, të paraardhësve të mi. Dhe, unë e di që ai është bërë shumë humorist kohët e fundit, dhe padyshim që gjëja më e dhimbshme është kur të gjithë në kor fillojnë të qeshin nga shakatë, që më kujtojnë personazhin e famshëm të Revolucionit Kulturor kinez: Lej Fenin, por për t’i thënë që familjet e vjetra të Tiranës, vërtetë jetonin në qendër të Tiranës, por të gjitha me radhë kanë pasur toka bujqësore në periferi. Ka qenë një bollëk në Tiranë në atë kohë, të themi të drejtën dhe pikërisht për ta orientuar ekzaktësisht, aty ku përfundonte qyteti dhe është fjala pikërisht për Institutin e Kërkimeve Veterinare, në zonën e “Freskut”, aty fillon Komuna. Edhe sot e kësaj dite është territori administrativ i Komunës. Pra, qyteti kishte truall, ndërsa Komuna kishte tokën bujqësore. Pra në vend që të bëjë ironi e të japë një imazh mashtrimi për shqiptarët, duhet të kuptojë që familja Topi, të gjithë paraardhësit janë në tokën e vet. Nëqoftëse dëshirion, t’ia bëjmë me dije se ku i kemi tokat, madje mund t’i dhurojmë edhe një pjesë toke. Le të vijë e të jetojë aty në paqe dhe në harmoni dhe mund t’i japim edhe leksione qytetarie, se si jetohet në harmoni pa bërë sherre”, shprehet më tej. /Start/

                                                                                             2012-03-14 08:40
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›