Topi-Cervenkosvksi sigurojne daljen ne det te Maqedonise
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi dhe Presidenti i Maqedonisë Branko Cervenkovski konfirmojnë dëshirën e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe aspiratën e tyre për tu integruar në familjen e madhe europiane. Ky ka qenë rezultati i takimit të djeshëm të zhvilluar në qytetin e Durrësit, midis presidentëve të dy vendeve Topi dhe Cervekovski.
Gjithashtu në takim u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve, zhvillimin e mëtejshëm të tyre në fushat kryesore me interes të përbashkët, si në ato ekonomike, energjitike, të transportit, të lëvizjes së lirë të njerëzve; rreth çështjeve rajonale ku vendin më të rëndësishëm e zuri Kosova – realiteti më i ri ballkanik – si dhe sfidat e përbashkëta integruese të Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Bashkëpunimi
Pas takimit, në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti shqiptar Bamir Topi dhe Presidenti maqedonas Cervenkovski shprehën vullnetin për të forcuar bashkëpunimin midis dy vende, në çështjet me interes të përbashkët, siç është zhvillimi ekonomik apo lëvizja e lirë. “Natyrisht ne diskutuam edhe për çështjet e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe bizneseve, për çështje të projekteve të përbashkëta në fushën e energjitikës, në fushën e transportit, në fushën e telekomunikacioneve dhe kemi konstatuar që porti i Durrësit, qyteti i Durrësit si portë hyrëse e Korridorit 8, patjetër që është mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë, por është mjaft i rëndësishëm edhe për interesat e biznesit maqedonas. Kam informuar zotin President Crvenkovski për perspektivën e qartë të zhvillimit jo vetëm të Durrësit, por edhe të infrastrukturës publike në Shqipëri edhe ajo që po konstatohet edhe në ditët tona, pra e kam fjalën për sezonin e verës, për një zhvillim të rëndësishëm të turizmit, fluksi i qytetarëve të Maqedonisë drejt brigjeve shqiptare do të jetë patjetër në një tendencë në rritje në ditët në vazhdim. Kam përshëndetur hapjen e pikave të reja të kalimit kufitar dhe kemi inkurajuar gjithashtu hapjen e pikave të tjera në mënyrë që lëvizja e njerëzve të jetë më e lirë në funksion të bizneseve dhe turizmit”, deklaroi Presidenti shqiptar Bamir Topi. Ndërkohë presidenti Cervenkovski tha se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë po shënojnë një rritje të jashtëzakonshme. ”Sot vlerësuam bashkarisht se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë janë në nivel jashtëzakonisht të mirë dhe kuptohet në dobi të të dy vendeve. Cilësia e këtyre marrëdhënieve është e gjithanshme, bashkëpunimi në nivelin politik, ekonomik, social, në fushën e kulturës, së arsimit po edhe në fushën ekonomike. Atë që mund të potencoj se marrëdhëniet prej dita ditës, prej vitit në vit po rriten, ja dhe sivjet shënon një rritje të jashtëzakonshme, mirëpo është përsëri nën nivelin e mundësive tona dhe do të shpresoj që të gjitha këto elemente do t’i shfrytëzojmë që në të ardhmen të kemi marrëdhënie më të mira, tha Cervenkovski, i cili u shpreh se kishte rënë dakord me Presidentin Topi për bashkëpunimin e dy vendeve në fushën e energjitikës.
Integrimi
Presidenti i Shqipërisë dhe Maqedonisë konfirmuan qëllimin dhe aspiratën e të dy vendeve për tu integruar në familjen e madhe europiane. “Kemi konstatuar që ndajmë mendime të përafërta, edhe për çështje të tjera identike përsa i përket zhvillimeve në rajon, por mbi të gjitha kemi evidentuar edhe një herë faktin që Shqipëria dhe Maqedonia kanë të njëjtën prespektivë atë të integrimit në familjen euro-atlantike”, tha Topi. Ndërkaq presidenti Cervenkovski shprehu keqardhjen për mosmarrjen e ftesës nga Maqedonia për në NATO, por ai insistoi në të ardhmen e integrimit euroatlantik të Maqedonisë, dhe të Shqipërisë. “Maqedonia dhe Shqipëria synojnë një të ardhme të njëjtë pra drejt integrimit euroatlantik. Tani edhe një herë përfitoj nga rasti që këtu nga Durrësi, nga kjo foltore edhe një herë t’i uroj Shqipërisë pranimin e saj në NATO. Kuptohet që na vjen keq që ne së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë nuk e firmosëm këtë, por sido që të jetë për hir të një problemi që nuk ka lidhje me plotësimin e standardeve dhe kritereve bazike të NATO-s, domethënë një problem që është larg këtyre standardeve na pengoi që të jemi dhe ne anëtarë të NATO-s. Kuptohet bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë drejt integrimit tonë në NATO, por edhe në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Cervenkovski.
Kosova
Çështja e Kosovës ka qenë një tjetër temë e rëndësishme e bisedës midis dy presidentëve Topi dhe Cervenkovski. Kreu i shtetit shqiptar përshëndeti njohjen e deritanishme të pavarësisë së Kosovës nga 43 shtete të rëndësishme të botës.
“Një pjesë të rëndësishme të bisedave tona e ka zënë çështja e Kosovës. Kosova është një realitet i ri në rajonin ballkanik. Kemi përshëndetur jo vetëm njohjen nga 43 shtete të rëndësishme të botës, por unë personalisht kam përshëndetur gjithashtu edhe konferencën e donatorëve që u realizua më datën 11 korrik, ku Kosovës i është dhënë një ndihmë e rëndësishme financiare nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera, çka demostron se njohja e Kosovës nuk është thjesht në planin politik, por ajo tani po ndihmon edhe ekonomikisht”, deklaroi Topi. Presidenti Cervenkovski deklaroi se shumë shpejt edhe Maqedonia do të vendosë për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Republika e Maqedonisë ende nuk e ka përcaktuar qëndrimin e vet në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Sipas Kushtetutës sonë kjo është kompetencë e qeverisë. Në para disa kohësh kishim zgjedhjet parlamentare dhe kjo është periudha e konstituimit të qeverisë së re. Unë supozoj që pas konstituimit të qeverisë së re se në njërën nga mbledhjet e para, takimet të qeverisë do të vendoset si pikë në renditje pikërisht kjo çështje. Nuk mund ta përvetësoj vendimin e qeverisë, mirëpo jam i bindur që qeveria do të niset nga interesat nacionalë të shtetit dhe kuptohet në bashkëpunim me vendet e mëdha të Bashkimit Evropian”, tha kreu i shtetit maqedonas.
18 Korrik 2008