Berisha ambasadorëve: “Faleminderit për ftesën në NATO”
Kryeministri Berisha pati dje në mesditë një drekë pune me Ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së të akredituar në Tiranë. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Kryeministri Berisha u shprehu mirënjohjen e thellë vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimin. “Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për ju dhe për vendet tuaja, të cilat firmosën Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky ishte një moment tepër historik, siç deklaroi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer”, tha Kryeministri Berisha.
“Sot, për mua dhe për Shqipërinë është një ditë e veçantë sepse pak orë më parë ne ishim në aeroportin e Rinasit së bashku me Ambasadoren e Francës dhe Ambasadorin e Italisë për të përcjellë së bashku dy kontigjente ushtarake shqiptare në Herat dhe në Xhamena, një forcë simbolike në një moment shumë të rëndësishëm nën flamurin e NATO-s dhe të BE-së”, vijoi kryeministri Berisha. Ai siguroi Ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE-së për vijimin e reformave, të cilat i vlerësoi si jetike për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë edhe si thelbësore për plotësimin e standardeve të NATO-s dhe BE-së.
Më pas fjalën e mori ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon. L. Uidhers, i cili tha se zhvillimet e fundit në NATO dhe në BE kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre. Uidhers vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO pasuron më tej vlerat e Aleancës. Por kjo u shpreh më tej Uidhers ka të bëjë edhe me të ardhmen e Shqipërisë, e cila po merr atë që meriton dhe që i është mohuar për një kohë të gjatë. “E vlerësoj punën dhe përkushtimin e Kryeministrit Berisha për vazhdimin e reformave të domosdoshme dhe kjo ka të bëjë me të ardhmen dhe e ardhmja e Shqipërisë është e shndritshme”, tha Ambasadori i SHBA-së në Tiranë.
18 Korrik 2008