Xhafaj: “Zgjedhjet do të zhvillohen në pranverën e vitit 2009”
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare priten të zhvillohen në pranverën e vitit 2009. Lajmi është bërë i ditur nga bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore, deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Ai deklaroi dje se gjatë mbledhjes së komisionit, e cila ka vijuar sërish të zhvillohet me dyer të mbyllura, është diskutuar për çështjen e afateve zgjedhore. Sipas tij në bazë të ndryshimeve të bëra së fundmi në Kushtetutë do të zgjidhet mes pranverës dhe verës për të vendosur periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve. Ndërkaq deputeti Xhafaj, ka deklaruar gjithashtu vullnetin e Partisë Socialiste për të mbështetur nismën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të realizuar të drejtën e votës së emigrantëve, në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë. “Partia Socialiste ka vullnetin për të mundësuar votën e emigrantëve”, - u shpreh Xhafaj, i cili gjithsesi u shpreh skeptik përsa i përket çështjes së infrastrukturës zgjedhore, për pjesëmarrjen e emigrantëve në votime. Qëndrimi i Partisë Socialiste për të mbështetur nismën e emigrantëve u paralajmërua që në mbledhjen e komisionit për reformën zgjedhore, të dy ditëve më parë. Në atë mbledhje, përfaqësuesi i PS-së Xhafaj, si dhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, bashkëkryetari tjetër i komisionit, Ilir Rusmaili pranuan që të shqyrtonin nismën e LSI-së dhe draftin e depozituar prej saj, për të drejtën e votës së emigrantëve në Shqipëri. Në rast se do të finalizohet me sukses një gjë e tillë, emigrantët shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, do të kenë mundësi që për herë të parë në këto 17-vjet të marrin pjesë në procesin zgjedhor në Shqipëri, duke votuar në vendet ku punojnë dhe jetojnë. Propozimi i LSI-së për këtë çështje, është që emigrantët të votojnë me anë të postës.
18 Korrik 2008