Xhufi: “Spiunët dhe problemet e pronave po na mbajnë larg Bashkimit Europian”
Shaban Sulçe
Zëvëndëskryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi deklaroi se reformat e dështuara të qeverisë janë kthyer në pengesa serioze për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë. Xhufi tha se janë disa çështje serioze, të cilat jo vetëm që nuk po gjejnë zgjidhje, por edhe po pengojnë integrimin e vendit. Ndër to, zëvëndëkryetari i LSI-së renditi çështjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, problemin e pazgjidhur të pronave dhe reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi. Xhufi tha se nëse Shqipëria do të anëtarsohet në NATO dhe në Bashkimin Europian, qeveria shqiptare duhet të tregohet më e përgjegjshme për të përmbushur angazhimet e saj, që burojnë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Dosjet
Zëvëndëskryetari i LSI-së tha se çështja e dosjeve është kthyer në një pengesë serioze për integrimin e vendit. Ai theksoi se kjo çështje po përdoret vetëm për demagogji, ndërkohë që nuk është bërë asgjë për të larguar nga skena politike, ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, që kanë qeverisur vendin gjatë këtyre 20 viteve. Ai tha se ka ardhur koha që dosjet të hapen. “Një problem që do të ishte shumë real, para disa vjetësh, ose para shumë vjetësh, kur realisht Shqipëria hyri në rrugën e demokracisë dhe kur procesi do t’i shërbente vërtet ngjalljes, shërimit të politikës së re demokratike. Por, pas 20 vjetësh, natyrisht ky problem është bërë më shumë një problem demagogjie, për deri sa është “qeverisur” me spiunë për 20 vjet. Natyrisht pas 20 vjetësh, kur vendet e tjera e kanë kryer tashmë këtë hap, këtë proces, problemi me duket se është më tepër i stisur. Tashmë maturohet edhe koha reale që lejon edhe ligji për arkivat dhe hapjen e dosjeve”, -tha Xhufi.
Pronat
Zëvëndëskryetari i LSI-së gjatë fjalës së tij në parlament u ndal edhe në çështjen e pronave. Sipas tij kjo çështje përbën pikën kreysore të debatit me Bashkimin Europian, ndërkohë që qeveria “Berisha” nuk ka bërë asgjë tjetër, veçse ka mbjellë konfuzion për pronat. Mjafton të kujtoj ligjin e bërë, të ribërë dhe stërbërë të legalizimeve, i cili duhet të ishte realizuar, duhet të ishte zbatuar që para dy vjetësh dhe sot ne kemi legalizim, që i intereson vetëm një numri të papërfillshëm familjesh. Ndërkohë, ne kemi një debat dhe një grindje të brendshme, pasi behët fjalë për një çështje, e cila ka prishur në një farë mënyre edhe paqen sociale. Apo ligji tjetër për titujt e pronësisë, që Qeveria bëhet gati ta sjellë në Parlament. Edhe ky është një projektligj, i cili ngjall shumë diskutime dhe konceptohet më shumë, me të drejtë, si një lëvizje demagogjike në prag të zgjedhjeve”, -vijoi deputeti i LSI-së.
Reformat zgjedhore dhe në drejtësi
Xhufi renditi gjithashtu si pengesa në procesin integrues dështimet e qeverisë përsa i përket reformave në ekonomi, kryesisht në çështjen e privatizimeve, reformat në sistemin doganor dhe tatimor, arsim etj. Zëvëndëskryetari i LSI-së u ndal gjithashtu edhe në reformat në drejtësi dhe në reformën zgjedhore, të cilat gjithashtu kanë shënuar një dështim për qeverinë. “Reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore, të cilat kujtoj të nderuar deputetë, duhet të kishin mbaruar para datës 4 prill, para samitit të Bukureshtit. Ne akoma jemi në fillesat. Reforma në drejtësi paraqitet vetëm me bërjen e një ligji standard, që është ai i organizimit të drejtësisë. Kurse reforma zgjedhore ka shërbyer më tepër si shkas për të bërë ndërhyrje masakruese të Kushtetutës dhe për të mbjellë konfuzion”, -deklaroi ai.
18 Korrik 2008