E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Kavajë: “Ky qytet nuk është më bastioni i Berishës”

Kreu i PS-së, takim me vullnetarët në zonën elektorale të kryeministrit Berisha. Rama, kavajasve: “Besimi dhe mbështetja juaj 18-vjeçare është shpërdoruar nga ai që keni zgjedhur”

Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër të turit të tij me Rrjetin e Vullnetarëve, ka zhvilluar një takim në qytetin e Kavajës. Kryesocialisti Rama, gjatë fjalës së tij në këtë takim, ka dënuar braktisjen që i është bërë këtij qyteti nga politika e vjetër, duke sulmuar kryeministrin Berisha, i cili është zgjedhur prej disa legjislaturash si deputet i kësaj zone. Ai ka thënë se ka ikur koha kur qytetet dhe zonat konsideroheshin si bastione të së majtës apo të së djathtës. Rama ka thënë se Kavaja nuk mund të konsiderohet bastion i askujt, por se të gjithë kavajasit duhet të bëhen pjesë e bashkimit të ri, që do të ndryshojë Shqipërinë dhe do e nxjerrë atë nga mjerimi.

Takimi
Duke marrë fjalën përpara të pranishmëve në takim, Rama tha se është e paimagjinueshme që qyteti nga i cili mori jetë lëvizja demokratike që përmbysi regjimin komunist ka mbetur ende një qytet i thjeshtë dhe me probleme të theksuara sociale, si varfëria dhe papunësia. Kreu i PS-së akuzoi politikën e vjetër dhe kryeministrin Berisha, i zgjedhur deputet në qytetin e Kavajës, se ka përfituar dhe ka abuzuar me mbështetjen e pakursyer që i kanë dhënë qytetarët dhe qytetaret e Kavajës. “Kavaja e sotme dhe mënyra e jetesës së familjeve të thjeshta të këtij qyteti e të kësaj zone flasin vetë. Flasin qartë se kush ka fituar 18 vjet me radhë në Kavajë?! Kush ka fituar nga mbështetja e pakursyer që qytetaret dhe qytetarët e Kavajës i kanë dhënë për 18 vjet me radhë?! Kush ka fituar nga ëndrra dhe shpresat e kavajasve që për 18 vjet me radhë këto ëndrra dhe shpresa i kanë investuar me votën e tyre tek një forcë dhe tek një personazh, që asnjëherë nuk ka mundur, nuk ka ditur, nuk ka dashur t’jua kthejë këtë investim të madh shpirtëror, moral dhe politik”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

Bashkimi i ri

Më tej, gjatë fjalës së tij, Rama tha se ka ikur koha e politikës së vjetër, e cila i trajtonte qytetet dhe zonat e ndryshme të vendit si bastione të majta apo të djathta. Ai tha se tashmë në Shqipëri ka ardhur koha që çdo fshat dhe çdo qytet të jetë i qytetarëve dhe politika të burojë nga bashkimi i qytetarëve. Kreu i PS-së shprehu bindjen për arritjen e fitores në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, sfida e PS-së pas zgjedhjeve do të jetë lufta kundër papunësisë dhe varfërisë. “Ka ikur koha kur qytetet dhe zonat e ndryshme të vendit mund të shiheshin dhe trajtoheshin si bastione të majta apo të djathta, të një grushti politikanësh të majtë apo të djathtë, për interesa oborresh majtas ose djathtas. Ka ardhur koha, që çdo qytet, që çdo zonë e Shqipërisë, që çdo fshat i këtij vendi të jetë i qytetarëve dhe që politika të burojë nga bashkimi i qytetarëve dhe të jetë shprehje e asaj çka të zgjedhurit bëjnë për zgjedhësit dhe jo vetëm e asaj çka zgjedhësit bëjnë për të zgjedhurit. Ka ardhur koha që qytetarët e këtij vendi, qofshin socialistë dhe qofshin demokratë, të shihen me respektin që meritojnë dhe të vlerësohen për investimin e madh që bëjnë, duke vendosur tek vota e tyre shpresat e tyre. Të mos trajtohen si bastione apo si turma, tek të cilat politikanët drejtohen vetëm kur ju duhen votat dhe të cilave politikanët u thonë gjëra më të bukura të dheut vetëm për t’ju marrë votën. Politika e re e Partisë Socialiste nuk konsideron asnjë qytet si bastion të një force politike apo të një tjetre. Partia Socialiste nuk i ndan qytetet dhe as njerëzit në të majtë dhe në të djathtë, përkundrazi, kërkon një bashkim të të gjithë shqiptarëve që sot janë të zhytur në papunësi, varfëri dhe kërkojnë shpresë e rrugëzgjidhje për problemet e tyre. Ne do të nisim më 28 qershor betejën e madhe me varfërinë e papunësinë”, - tha Rama.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›