E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: ”Berisha po e rrënon ekonominë shqiptare duke e kthyer në nivelet e vitit 1990”



Kryetari i Partisë Socialdemokrate, në takimin e zhvilluar me anëtarët e PSD-së në Njësinë Bashkiake Nr. 3 në kryeqytet ka thënë se Shqipëria po rrezikon të shkojë në stanjacion ekonomik, çka nuk ka ndodhur kurrë që pas vitit 1990. “Ju keni dëgjuar dhe deklarimet më të fundit të FMS-së, e cila, pasi shoi njëherë entuziazmin mashtrues të kryeministrit, që rritja ekonomike paska vajtur 10%, pra ndonëse raportonte zyrtarisht për 6%”, - u shpreh ai. Gjinushi tha se FMN-ja e detyroi Berishën të tërhiqej nga ky mashtrim, nga kjo tallje me shqiptarët, por edhe me gjithë botën, “sepse në kohën kur e gjithë bota mendonte për krizën botërore, pra kur e gjithë bota bënte poshtë, Saliu vazhdonte të ngrihej lart”, - tha ai. Kreu i socialdemokratëve deklaroi se qeveria po e mbyll 4-vjeçarin me një parashikim tepër negativ për 2009-n, ku rritja ekonomike e Shqipërisë mund të jetë 1%. Gjinushi u shpreh i bindur për fitoren e të majtës në zgjedhjet e 28 qershorit. Ai tha se fitorja nuk do mbështetet thjesht te dështimi i së djathtës, por te aftësitë dhe te cilësitë që ofron e majta. “Grupimi i majtë ka treguar që ka aftësitë ta çojë përpara këtë vend, që ka aftësitë të qeverisë shumë më mirë dhe ta nxjerrë vendin nga kriza ku e ka futur qeveria aktuale, prandaj mjafton kaq për të kuptuar domosdoshmërinë e ndryshimit. Mjafton kaq për të kuptuar se pse populli në shumicë dërmuese do të votojë për të majtën, por siç thashë ne fitoren tonë nuk e mbështesim thjesht te dështimi i së djathtës, e mbështesim dhe te aftësitë dhe te cilësitë që ofron e majta dhe PSD-ja. Ne si PSD nuk e diskutojmë fitoren e qershorit 2009. Është një fitore që do të arrihet së pari për meritë të alternativës që ne përfaqësojmë, si alternativa më e mirë, një alternativë e së majtës europiane, si një alternativë që di të ndërtojë, që di të transformojë kryeqytetin, por që ka ditur të drejtojë dhe Shqipërinë, duke e nxjerrë nga gërmadhat e ’97-s”, - tha Gjinushi.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›