Topi: Dialog politik për stabilitetin e vendit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot në mesditë Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, me kërkesën e këtij të fundit, për të diskutuar lidhur me situatën e rëndë të krijuar në vend.
Presidenti Topi shprehu shqetësimin e madh për gjendjen e tensionuar në vend dhe nënvizoi se: "në situatën e krijuar bëhet më se e domosdoshme vendosja e dialogut politik institucional si mjaft e rëndësishme për stabilitetin e vendit, rendin publik, jetën e qytetarëve dhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Kryetari i Shtetit nënvizoi nevojën urgjente të mbizotërimit të maturisë e dialogut, duke kërkuar nga faktorët dhe aktorët politikë të gjejnë vullnetin e duhur dhe të përmbushin përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre duke vënë interesat e vendit dhe të popullit shqiptar mbi gjithçka tjetër.
"Në këto momente, më shumë se asnjëherë tjetër na duhet qetësi, maturi dhe përgjegjësi politike dhe individuale, për t`i lënë kohën dhe hapësirën e nevojshme funksionimit të shtetit të së drejtës dhe instititucioneve të pavarura ligjore të tij" u shpreh Presidenti Topi.
"Institucionet e shtetit dhe punonjësit në detyrë janë të shenjtë e të paprekshëm, ashtu sikurse është edhe mbrojtja dhe kujdesi për jetën e qytetarëve. Në çdo rrethanë, e drejta legjitime për të demonstruar paqësisht duhet administruar me përgjegjësi maksimale!" theksoi Presidenti Topi.
Gjithashtu Kreu i Shtetit mbështeti edhe një herë zhvillimin e një hetimi tërësor, të paanshëm, profesional dhe transparent të ngjarjeve të datës 21 janar duke nxitur bashkëpunimin mes institucioneve të zbatimit të ligjit.
"Vetëm shteti ligjor është garancia e një vendi demokratik dhe ai duhet të respektohet nga cilido!" u shpreh Topi.