E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Do të shtojmë trupat në Afganistan

10/04/2009  Presidenti takon trupat e Zall-Herrit

Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka deklaruar gjatë vizitës në Brigadën e Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr se vendi ynë do të shtojë trupat në Afganistan. I shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralbrigade Maksim Malaj, si dhe anëtarë të kabinetit, Presidenti Topi inspektoi Brigadën e Reagimit të Shpejtë, duke kaluar trupën në revistë pas paraqitjes së forcës nga Komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneralbrigade Agim Lalaj. “Ne sot kemi trupa në Afganistan dhe një nga vendimet e rëndësishme të samitit të Strasburgut është rritja e vëmendjes së Aleancës për situatën në Afganistan. Trupat tona që janë atje, pa dyshim që po e përmbushin dhe do të vazhdojnë të përmbushin me sukses dhe një nga premtimet e Shqipërisë e dhënë në Aleancën e NATO-s në ditët e samiti të Strasburgut e Kehlit është për një vullnet të Shqipërisë për rritjen e numrit të trupave në Afganistan”, - theksoi presidenti Topi. Kreu i shtetit garantoi se jo vetëm ai në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, por të gjitha strukturat e shtetit shqiptar do të vazhdojnë të qëndrojë shumë pranë trupave jo vetëm shpirtërisht dhe moralisht në mbështetje të misionit të rëndësishëm, por dhe fizikisht. Duke kujtuar evenimentin historik të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti Topi tha se emocionet e këtij evenimenti pa dyshim do të motivojnë, do të transformohen në energji dhe në një punë të jashtëzakonshme të të gjitha institucioneve të Shqipërisë, të Forcave të Armatosura, të misioneve tona kudo ato shërbejnë përkrah kësaj aleance të madhe. Numri një i shtetit shqiptar ka vlerësuar se ushtria jonë është profesioniste. “Është e vërtetë se Shqipëria është futur de jure vetëm para pak ditësh në NATO. Por ju siguroj, gjë që e dini dhe ju shumë mirë, se de facto ne kemi qenë anëtarë të NATO-s. E kam parë këtë në misionet qoftë në Irak, e kam ndier në misionet në Bosnjë, po e kam ndier edhe në misionin në Afganistan”, - tha Presidenti Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›