E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Forcat politike të bashkëpunojnë për reformat

Gjatë takimit, Topi shprehu mirënjohjen për ndihmesën e pandërprerë të diasporës shqiptare dhe çmoi bashkëpunimin e frytshëm me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Kreu i shtetit shqiptar bëri një panoramë të zhvillimeve në vend dhe duke u ndalur në situatën aktuale politike, vuri në dukje nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe kontributit të të gjitha forcave politike në vazhdimin e reformave jetike për vendin, sidomos të reformës në drejtësi apo zgjidhjen përfundimtare dhe të drejtë të çështjes së pronave.

“Për të përmbushur standardet integruese dhe realizimin e aspiratës së mbarë popullit për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, është shumë e rëndësishme qëndrueshmëria e institucioneve dhe konsolidimi i demokracisë shqiptare”, theksoi Topi.

Nga ana e tyre, Drejtori Ekzekutiv, Mustafaj dhe Këshilltari i Lartë i KKSHA-së, Skoton pasi falenderuan për pritjen, diskutuan për situatën në vendin tonë duke e informuar Kreun e shtetit rreth punës së tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vizitave të ardhshme në Kosovë dhe Maqedoni.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për situatën në rajon, duke ndarë mendimin vlerësues për rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në terren në shërbim të paqes, qëndrueshmërisë dhe begatisë rajonale.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›