E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana në telashe, ndaj Shkumbinit pa Memellin

TIRANE- Migen Memelli do të jetë mungesa e madhe e Tiranës për ndeshjen e sotme kundër Shkumbinit. Sulmuesi pogradecar pësoi një tërheqje në rrëzën e kofshëve në takimin ndaj Luzit në Kupën e Shqipërisë, por që mendohej se nuk do të ishte aq e rëndë. Gjithsesi, stafi mjekësor i bardhebluve ka konfirmuar dje se ai nuk është në gjendje të luajë në sfidën e sotme, ç'ka do të thotë një mungesë tepër e rëndësishme për skuadrën kampione të vendit. Memelli ishte kryegolshënuesi i sezonit të shkuar dhe rikthimi i tij, bashkë me lojtarë si Muka apo Muzaka ishin çelësi i sukseseve të Tiranës në takimet e fundit.

Trajneri Alban Tafaj do të hedhë në fushë në vend të tij sulmuesin vlonjat Arbër Abilaliaj, që rikthehet pas pezullimit një javor. Pavarësisht mungesës së sulmuesit kryesor të ekipit, tekniku i skuadrës kampione është parë i qetë në prag të ndeshjes me peqinasit. Për hir të së vërtetës, Tirana ka ditur gjithnjë t'i fitojë ndeshjet shtëpiake kundër Shkumbinit. "Pavarësisht mungesës së Memellit në fushë do të jetë një formacion sulmuese, - tha dje trajneri Alban Tafaj. - Është mungesë e rëndësishme, por unë kam shumë besim te skuadra që do të hedh në fushë dhe mendoj se do të arrijmë të fitojmë. Veç të tjerash kemi edhe një moral më të lartë për shkak të rezultateve të fundit", u shpreh më tej ai.

Takimi i sotëm është një mundësi e mirë për Tiranën që t'i afrohet kreut të renditjes, nisur edhe nga fakti se Dinamo dhe Besa do të kenë një përballje direkte mes tyre ditën e hënë. Përballë bardhebluve është Shkumbini, një skuadër që në javët e fundit e ka ngritur ritmin, por që gjithsesi në ndeshjet në transfertë mbetet ende shumë e dobët. Por, java e 10-të ka një rëndësi të madhe edhe për Apoloninë, që do të presë në fushën e saj Kastriotin. Pas barazimit me Flamurtarin një javë më parë, Apolonia duket e uritur për marrjen e 3 pikëve. Ndërkohë, një tjetër skuadër, Teuta, ka një shans për të qenë mes atyre që luftojnë për Kupat e Evropës. Durrsakët do të luajnë në transfertë kundër Gramozit, ekipit që mban vendin e fundit në renditje. Ekipi i Josës gjithsesi nuk ka qenë aq i "frikshëm" në takimet jashtë "Niko Dovanës".
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›