Zgjidhet ngërçi, shtohen 16 ilaçe në listën e rimbursimit
zirina llambroShtohen 16 alternativa të reja ilaçesh në listën e rimbursimit të barnave. Më në fund ngërçi me Ministrinë e Financave është zgjidhur dhe janë siguruar fondet për të mos cunguar skemën. Buxheti është siguruar nga shkurtimi i zërit të dietave dhe shpërblimeve të punonjësve të administratës së Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Të paktën këtë konfirmojnë burime nga ky institut. Tashmë lista është gati dhe pritet vetëm miratimi i Këshillit të Ministrave javën që vjen. “Absolutisht kemi një listë të pasuruar me barna të reja. Janë më shumë se 16 alternativa të reja që i shtohen listës së barnave”, u shpreh dje Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, barnat e reja janë alternativa për patologji që prekin një numër të madh pacientësh. Ai shtoi se nga skema do të përfitojnë kryesisht pensionistët, por edhe kategori të tjera që vuajnë nga sëmundje të rënda si dhe fëmijët. Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion këtë vit rreth 5.3 miliardë lekë për ilaçet e rimbursueshme. Pak kohë më parë distributorët që hedhin në treg ilaçe të rimbursueshme kishin kërcënuar se do zbraznin tregun, për shkak se lista e këtyre medikamenteve nuk ishte miratuar ende dhe se rritja e kursit të euros kundrejt lekut po i nxirrte bizneset e tyre me humbje. Nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë, nga lista aktuale e barnave janë hequr 4 ilaçe të cilat janë zëvendësuar me alternativa të tjera. Kategoritë që përfitojnë nga lista e barnave me rimbursim, janë kryesisht të sëmurë kronikë, me diabet, tension, veshka, prostatë, probleme kardiovaskulare, të sëmurë që vuajnë nga sëmundjet neurologjike apo persona të cilët duhet të trajtohen për sëmundje specifike me rimbursim. Lista aktuale e rimbursimit ka 377 barna. Komisioni i hartimit dhe miratimit të listës së barnave e kishte përfunduar që në dhjetor misionin e tij. Duke u përpjekur të ruanin balancat, specialistët e fushës u munduan që skema të ishte pak a shumë e ngjashme me atë të vitit të shkuar. Por pasi u dërgua në Ministrinë e Financave, kjo e fundit e konsideroi shumë të shtrenjtë dhe e ktheu mbrapsht për shkurtime. Pas një ngërçi disa javor dhe negociatave mes dy dikastereve, si dhe ISKSH-së, më në fund është zgjidhur gjithçka. Lista e re e barnave me rimbursimi do të hyjë në fuqi fill pas miratimit nga Qeveria. Pacientët do të kenë të paktën barnat më të rëndësishme, pasi në kushtet e krizës nuk bëhej fjalë për zgjerim të skemës.Berisha: Masa agresive ndaj korrupsionit në shëndetësi“Duhet të gjejmë dhe të vëmë në zbatim të gjitha mënyrat, se si ta nxjerrim këtë sistem jashtë korrupsionit. Të marrim çdo lloj mase, edhe agresive. T’i rikthejmë dinjitetin këtij misioni të rëndësishëm, misionit të mjekut. Krahas përcaktimit të procedurave antikorruptive, duhet të inkurajojmë dhe rritjen e rrogave në shëndetësi”. Kështu u shpreh dje kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së grupit Task-forcë për reformën në shëndetësi. Kryeministri theksoi edhe një herë marrjen e të gjitha masave për të zhdukur çdo shenjë të korrupsionit në sistemin shëndetësor. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe drejtues të lartë të institucioneve të rëndësishme në shëndetësi, u diskutua mbi gjendjen reale të shëndetësisë në vend, mbi politikat e reja që duhen ndjekur për standardizimin e sistemit shëndetësor, që do të plotësojë të gjitha kërkesat e publikut, për një menaxhim më të mirë të këtij sistemi, për kostimin, për edukimin në vazhdim në fushën e shëndetësisë, për gjetjen e mënyrave efikase promovuese të të gjithë masave të marra që po e zhvillojnë shëndetësinë.