E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Gjykata Kushtetuese ia ka dalë pavarësisht presioneve

Kreu i shtetit Bamir Topi ka deklaruar sot se Gjykata Kushtetuese pavarësisht presioneve politike ia ka dalë të garantojë frymën kushtetuese dhe parimeve demokratike dhe kushtetuese.  Duke folur në ceremoninë e 20-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese, Topi ka theksuar se krijimi I kësaj gjykate plotësoi një boshllëk dhe hapi një kapitull të ri në një vend në të cilin më shumë se gjysëm shekulli u shkelën të drejtat e njeriut.

"Gjykata Kushtetuese është institucioni për garantimin e Kushtetutës, ashtu siç çdo institucion dhe qytetar janë të detyruar ta respektojnë. Ky institucion nuk mund të përvetësohet nga shteti. Gjykatat Kushtetuese janë ato që ruajnë të pastra parimet e ndarjes së pushteteve. Gjetja e balancës së ndarjes së pushteteve, është sfidë e vështirë, por e sukseshme dhe një sfidë për demokracinë Kushtetuese. Roili i Gjykatës Kushtetuese është e rëndësishme , por vendimet mes shtetit të së drejtës dhe ndarjen e pushteteve marrin një rol të veçantë. Këto vendime kërkojnë pavarësi mendimi dhe integritet profesional, mbi presionet e pushtetit”, theksoi Topi.

Gjithashtu Topi theksoi se Gjykata Kushtetuese e një vendi është institucioni më i rëndësishëm për garantimin dhe kontrollin e zbatimit të Kushtetutës. Sipas tij ky funksion dhe mision nuk mund të cënohet dhe as të përvetësohet nga pushtete apo institucione politike, të cilat megjithë rëndësinë e madhe në sistemin politik e qeverisës, nuk kanë dhe nuk mund të kenë atributet për të vendosur në mënyrë përfundimtare dhe me fuqi, atribute detyruese të përgjithshme interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, pra për të qenë garant i saj. “Këto parime nuk përjashtojnë, përkundrazi apelojnë dhe kërkojnë që çdo institucion dhe individ njëherësh të jetë garant të Kushtetutës për kompetencat dhe detyrimet që i janë ngarkuar prej saj” shtoi ai.

Ai ka theksuar më tej se në procesin e marrjes së vendimeve, gjyqtarët kushtetues duhet të mos shkëputen nga parimet, mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës dhe kushtetutshmëria, të evitojnë vullnetet apo subjektivizmat e lidhura me situata të caktuara, duke e parë çështjen e shtruar për zgjidhje në tërësinë e vet, parimisht dhe me perspektivën e zgjidhjeve afatgjata. “Vendime të tilla të rëndësishme duhet t`i rezistojnë mandateve politike dhe të sigurojnë jetëgjatësinë e parimeve themelore të ndërtimit të shtetit të së drejtës. Vetëm kështu, drejtësia kushtetuese do të kryejë funksionin për të cilin është krijuar, si një institucion me një ndjenjë të lartë përgjegjshmërie dhe kontribut të qenësishëm në ruajtjen e demokracisë kushtetuese” shtoi më tej Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›