20-vjetori i Gjykatës Kushtetuese bashkon Berishën me Topin

Presidenti Topi dhe kryeministri Berisha duke i dhene doren njeri-tjetrit / Foto arkiv
20 vjetori i Gjykatës Kushtetuese ka bërë bashkë sot presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli.
Në nisje të konferencës me temë Ndarja dhe balancimi i pushteteve, roli i kontrollit kushtetues, Topi dhe Berisha i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit.
Gjatë fjalës së tij, Topi u shpreh se sfidë e vështirë mbetet gjetja e balancës së ndarjes së pushteteve dhe marrja e vendimeve larg presioneve të pushtetit.
Gjykata Kushtetuese është institucioni për garantimin e Kushtetutës dhe nuk mund të përvetësohet nga shteti. Gjykatat Kushtetuese janë ato që ruajnë të pastra parimet e ndarjes së pushteteve. Gjetja e balancës së ndarjes së pushteteve, është sfidë e vështirë, por e suksesshme dhe një sfidë për demokracinë kushtetuese.
Roli i Gjykatës Kushtetuese është i rëndësishëm, por vendimet mes shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve marrin një rol të veçantë. Këto vendime kërkojnë pavarësi mendimi dhe integritet profesional, mbi presionet e pushtetit, theksoi Topi. / G.N.