E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi shtrëngon duart me Berishën dhe Topallin

TIRANE- Konferenca e 20- vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese ka bërë bashkë Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryeministrin, Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.  Në nisje të kësaj konference Topi ka shtrenguar duart me Berishën dhe Topallin.

Konferenca po mban punimet me temë Ndarja dhe balancimi i pushteteve, roli i kontrollit kushtetues.

Presidenti i Republikës, dhe kryeministri i vendit kishin disa kohë që shmangnin takimet, ndërsa shpesh herë kanë sulmuar në distancë njëri- tjetrin.

Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës, Bamir Topi tha se Gjykata Kushtetuese duhet të shndërrohet në garant të frymës dhe parimeve demokratike kushtetuese. Topi tha se drejtësia e dhënë nga Gjykata Kushtetuese do të ishte e paplotë nëse nuk zbatohen vendimet e saj. Sipas tij, funksioni i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të përvetësohet nga politika. Topi tha se ky 20 vjetori i themelimit të Gjykatës Kushtetuese është një moment i mirë për të hedhur vështrimin në sfidat e saj për të ardhmen.

Gjykata Kushtetuese ka pasqyruar në tërë veprimtarinë e saj përpjekjen e madhe të shqiptarëve për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës të bazuar në liritë dhe të drejtat e njeriut, funksionimin e ligjit dhe institucioneve kushtetuese.- tha kryeministri Berisha në fjalën e tij.

Berisha vlerësoi se në tërësi, pavarësisht vështirësitë dhe dritëhijet Gjykata Kushtetuese ka përmbushur me dinjitet të plotë rolin e saj, dhe pa rolin e saj Shqipëria nuk do të mund të kishte një demokracie funksionale.

Sot shteti ligjor në Shqipëri, liritë e qytetarëve apo ndarja e pushteteve, vazhdoi më tej kryeministri Berisha, janë më të konsoliduara se asnjëherë më parë, duke shtuar se në tërë këtë proces roli i Gjykatës Kushtetuese ka qenë një rol i një rëndësie të veçantë.

Konferencen e pershendeti edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›