Programi, PS premton reformë në strukturat e sigurisë
PS-ja premton ndërtimin e një strukture të integruar të sigurisë kombëtare, që do të jetë përgjegjëse për përmirësimin e faktorëve të rrezikut.
TIRANË- Një nga reformat më të thella që premtojnë socialistët, në rast se vijnë në pushtet pas 28 qershorit, do të jetë edhe ajo në strukturat e sigurisë kombëtare. Ka qenë Kryetari socialist, Edi Rama, ai që në një takim me ish-efektiva të policisë, ka shpalosur pjesë të programit që flet për këtë fushë, duke evidentuar si tepër të rëndësishme për të rritur efektivitetin në çështjen e sigurisë së jetës dhe rendit në Shqipëri, ndërhyrjen në strukturat e policive, për të eliminuar ato që ai i konsideroi si mbivendosje në kompetenca.
Kështu, Rama ka deklaruar për herë të parë se, Partia Socialiste, qysh në fillim të marrjes së pushtetit do të bëjë të mundur shkrirjen e të gjitha policive që sot ekzistojnë në vend, qofshin këto tatimore, pyjore, elektrike, etj., dhe krijimin e një force të integruar Policie të Shtetit.
Ai theksoi se shtetit shqiptar i duhet vetëm një polici dhe jo shumë polici si strukturat aktuale, të cilat, sipas tij, krijojnë konfuzion dhe mbivendosje, duke ulur në këtë mënyrë rendimentin e realizimit të qëllimit për të cilin janë krijuar.
"Më lejoni të vij tek pika që unë mendoj se është edhe thembra e Akilit, aty ku ne do të godasim qysh në fillim. Nuk do ketë më 10 polici, një polici e veshur me gri, një polici e veshur me jeshile, një polici e veshur me bojëqielli, një tjetër me të verdhë, njerëz të punësuar me teserë partie që shpërndahen nëpër territor për të nxjerrë bukën e gojës, ndërkohë që territori i Shqipërisë është tërësisht jashtë kontrollit në aspektin e pronës publike, në aspektin e pronës private, në aspektin e sigurisë publike dhe private, që ka ndërkohë një kontroll që lë shumë për të dëshiruar.
Ajo që ne do të bëjmë është një polici, Policia e Shtetit", - tha Rama, në fjalën e vet në takimin me ish-uniformat blu. Sipas tij, sistemi aktual i organizimit të strukturave të sigurisë në vend lë për të dëshiruar, sidomos në aspektin e funksionimit dhe bashkëpunimit mes tyre.
Për këtë ai ka theksuar se ka lindur nevoja që të gjitha këto struktura të veçanta të jenë të organizuara në një Polici të Shtetit, dhe të jetë kjo e fundit organi kompetent për të ndarë më pas detyrat për secilin sektor. "Nuk mund më të shkojmë përpara, duke pasur 10 polici të tjera krahas Policisë së Shtetit.
Paqartësi në përgjegjësi, paqartësi në kufijtë e përgjegjësive nga njëra tek tjetra, të cilat krijojnë alibi nga më të çuditshmet dhe janë shtrati më i infektuar i korrupsionit, i mungesës së efektshmërisë së shtetit në raport me rendin e me sigurinë dhe i militantizimit të shtetit në funksion të partisë në pushtet", - tha kryesocialisti.
Gjatë këtij takimi, kreu socialist është ndalur edhe tek nevoja që ka vendi për një politikë të qartë në fushën e sigurisë kombëtare, për të mos lejuar të ndodhin raste të tjera, ku të vihet në rrezik jeta e qytetarëve.
Për këtë qëllim, PS-ja premton se do të krijojë edhe një strukturë tjetër të integruar të sigurisë kombëtare, e cila do të ketë për detyrë të rrisë rezultatet në evidentimin e rreziqeve që i kanosen sigurisë së vendit, si dhe hartimin e politikave për këtë fushë.
"Ne duam dhe do të ndërtojmë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare, e cila do të jetë përgjegjëse për përmirësimin e faktorëve të rrezikut që i kanosen sigurisë dhe do të planifikojë politikat e integruara të ndërhyrjes, sipas rastit.
Kjo strukturë do të hartojë politikat për rendin dhe sigurinë publike, për shërbimin e emergjencave civile, për sigurimin dhe qarkullimin e informacionit të klasifikuar dhe për mbrojtjen e integritetit territorial", - tha Rama.