E Shtunë, 31 Tetor 2026

OST, marrëveshje për pranimin në rrjetin energjetik evropian



Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) sh.a. ka nënshkruar dje në Bruksel marrëveshjen paraprake me UCTE-n (Union Coordination of Transmission of Electricity (Bashkimi për Koordinimin e Transmetimit të Energjisë Elektrike). Marrëveshja e nënshkruar mes OST sh.a. dhe UCTE-s është marrëveshje paraprake për fillimin e procedurave të pranimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit Shqiptar si anëtare e UCTE–s (Union Coordination of Transmission of Electricity). OST sh.a. është një shoqëri me kapital tërësisht shtetëror, e cila kryen dispeçerimin, mirëmbajtjen dhe operimin e tregut elektrik shqiptare me vendet e Evropës. Drejtori i Përgjithshëm i OST sh.a., z. Ymer Balla, nënshkroi marrëveshje me Presidentin Jose Penedos dhe Sekretarin e Përgjithshëm të UCTE-s, Marsel Bial.

Marrëveshja e nënshkruar dje mes Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Coordination of Transmission of Electricity (Bashkimi për Koordinimin e Transmetimit të Energjisë Elektrike) vjen pas zhvillimit që ka pësuar rrjeti i transmetimit shqiptar i energjisë elektrike, i cili operohet nga OST sh.a.

Objekti i marrëveshjes

Kjo marrëveshje përcakton të drejtat dhe detyrimet e palëve, njëkohësisht dhe rregullat, kushtet dhe kërkesat paraprake që duhet të plotësojë OST sh.a. OST sh.a. në bazë të marrëveshjes duhet të pajtohet me Manualin Funksional maksimumi brenda dy (2) viteve, e cila përket (“Kohëzgjatja e Marrëveshjes”) me qëllim që të bëhet anëtar i plotë i UCTE. Gjatë kësaj kohe, OST duhet të garantojë një funksionim sa më të mirë të sistemit energjetik shqiptar dhe të garantojë siguri në zonat fqinje të UCTE-s, për të gjithë periudhën në të cilën OST do të jetë sinkronikisht e ndërlidhur me UCTE-n.

Po kështu, OST është e angazhuar të ndërmarrë të gjitha hapat, për përmbushjen e të gjitha detyrimeve para afatit dy (2) vjeçar, për të mundësuar hyrjen në UCTE.

Pasi të përmbushen të gjitha detyrimet, UCTE angazhohet për të pranuar OST-në për t’u bërë anëtare me të drejta të plota. Marrëveshja përcakton qartë rregullat që duhet të zbatojë OST sh.a. për anëtarësimin, duke u bazuar në tregun evropian që janë: mosdiskriminimi; eficenca dhe transparenca; balancimi i energjisë elektrike.

OST duhet të lehtësojë investimet që të rritet kapaciteti transmetues dhe të përballet me çdo humbje të energjisë elektrike. Union Coordination of Transmission of Electricity (UCTE) është organizmi, i cili përmbledh të gjithë Operatorët e Sistemeve të Transmetimit Evropian. UCTE ka një rol thelbësor në rregullimin e marrëdhënieve me operatorët evropianë. UCTE koordinon dhe operon në zhvillimin dhe transmetimin e energjisë elektrike në 24 vende të Evropës, duke siguruar një treg të lirë të energjisë elektrike. UCTE është një organizatë e krijuar 50 vite me parë, e cila koordinon sinkronizimin e rrjeteve të transmetimit të energjisë elektrike midis vendeve, duke ruajtur një balancim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›