"Përpara vrasjes Fatmiri dukej i qetë"
INTERVISTA
Rrëfimi i njeriut që ka qëndruar në tavolinë me deputetin pak minuta përpara vrasjes. "Pamë ndeshjen dhe ai u ngrit duke qeshur nga tavolina"
Kurjan, Roskovec
Guxim Kukaj është kasap në fshatin Kurjan, 15 minuta larg qytezës së Roskovecit. 35- vjeçari është personi i fundit që ka përshëndetur deputetin Fatmir Xhindi, përpara se ky i fundit të qëllohej tri ditë më parë në pragun e shtëpisë. Në intervistën dhënë për gazetën "Shekulli", kasapi i fshatit kodrinor, rrëfen momentet e fundit me deputetin dhe shakatë që shkëmbyen me njëri-tjetrin, pa e ditur se ky do të ishte takimi i fundit midis tyre.
Kur e patë për herë të fundit deputetin Fatmir Xhindi?
Fatmiri ka ardhur në fshat, ditën e shtunë, në mos gaboj rreth orës 2.30 minuta. I ra borisë, më përshëndeti si zakonisht nga makina dhe shkoi në tokën e tij, që është afërsisht 500 metra larg dyqanit tim.
Me Fatmirin kemi pasur shumë miqësi, jo vetëm se ishte deputet dhe fshatar i zonës, por edhe se porosiste herë pas here mish të unë. Këtë gjë e bënte rregullisht. Kur nuk vinte në fshat, më merrte në telefon ose më çonte mesazh, dhe më thoshte dil nga shtëpia dhe më ço mish aq sa i nevojitej. Atë ditë na përshëndeti dhe iku tutje nga toka. Qëndroi goxha andej. Besoj të paktën nja dy orë e ca të mira.
Kur u kthye nga toka?
Ai ka ardhur në lokal për të pirë kafe nga ora 7.00 e darkës. Më përshëndeti si zakonisht, hyri brenda dhe u ul me ca shokët tanë. Më pas, pasi mbarova punë në shoqërinë e tyre u bashkova edhe unë. Bëmë muhabet, qeshëm, normalisht si çdo herë tjetër. Si gjithmonë me qyfyret tona, kujt do t'ia priste mendja se çfarë do të ndodhte më tej.
Mbani mend ndonjë bisedë. Vutë re shqetësim në pamjen e Fatmirit?
Jo asnjë shqetësim.
Ne jemi lindur e rritur me të dhe pak a shumë e njihnim tipin e tij. Ajo që mbaj mend është biseda e fundit para se të ikte. Duke pirë kafe, në momentin e fundit, i thotë kamerierit të mbajë lekët e kafes. Në atë çast u hodh një shok në tavolinë dhe i tha lëre se i pagova unë.
Aty Fatmiri ia kthen me të qeshur shokut në tavolinë se "sot do t'i paguaj unë, kurse ti do të ma japësh kafen nesër bashkë me një dopjo raki". Ja ky ishte muhabeti i fundit. Kush e dinte se çfarë do ndodhte më tej. Pamë edhe pjesën e parë të sportit, atë natë luante Real Madrid-Barcelona, dhe u ndamë
Fatmiri ishte vetëm atë ditë në tokën e tij?
Po në fillim ishte vetëm. Më pas në darkë në tavolinë me ne ishte edhe djali i tij i vogël, i cili pastaj iku nga gjyshja nga e ëma, pasi Fatmiri ishte dhëndër në fshat. Pasi u nda me të birin Fatmiri si duket iku në shtëpi.
Kur e morët vesh lajmin e vrasjes?
E kam marrë vesh në orën 9:00. Më mori në telefon një miku im dhe më thotë që kanë vrarë Fatmirin. Ne mbetëm të shtangur, sepse nuk kemi veçse fjalë të mira për të thënë për të
Iku se e telefonuan...
Jo jo iku vetë. Nuk e telefonoi njeri. Mua mu duk e pabesueshme, vetëm kur shkuam në Roskovec që e morëm vesh ç'kishte ngjarë
Vinte shpesh Fatmiri këtu?
Po vinte, por vetëm fundjavave. Përgjithësisht vetëm vinte.
Ishte njeri i gjindshëm?
Nuk bëhej fjalë fare. Për çfarë do hall që kishim, na ishte pranë. Domethënë ai nuk sillej si deputet me ne, por si një fshatar i yni që na i dinte hallet
Po djemtë e tij çfarë sjellje kanë?
Djemtë i ka shumë të mirë. Nuk ngatërrohen me asnjeri dhe janë shumë të respektueshëm. Po edhe si fis, Xhindi, janë njerëz shumë të respektuar dhe të nderuar. Atë ditë madje Fatmiri kishte përcjellë edhe një nga djemtë për studime në Rumani.
Nga fisi Xhindi ka më njerëz në fshat?
Jo kanë ikur të gjithë në Roskovec, pasi ra sistemi. Por gjithsesi nuk është se i kanë humbur kontaktet me fshatin Kurjan. Fatmiri vinte vetë të punonte tokën. Ka qenë shumë i lidhur me tokën, me agrumet. Dhe po iu them që punë konflikte tokash ai nuk ka pasur.
Pra ju nuk keni dyshime se ka pasur konflikte?
Nuk besoj. Ai ishte një njeri, që nëse unë kisha konflikte vinte dhe mi zgjidhte, jo më të vetat që po e po.
Si ishte i veshur z .Xhindi atë ditë?
Mbaj mend që ishte veshur me kostum të zi, pa kollare. Madje tani që po kujtohem mbaj mend që kërkonte numrin e njërit në fshat se donte të korrte barin në ullishte
Familja: Fatmiri nuk kishte probleme me askënd
ROSKOVEC- Një ndër pistat hetimore të përmendura nën zë nga ana e policisë dhe prokurorisë për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi është ajo e pronësisë. Por ky variant është hedhur poshtë nga familja e të ndjerit, e cila ka shpjeguar edhe prejardhjen e pronave të deputetit. Kunati i tij, Ramadan Faria pohon se Fatmiri nuk ka pasur asnjë problem me askënd.
"Fatmiri nuk ka pasur konflikte të veçanta apo me njëri të veçantë. Ai ka qenë njeriu me i nderuar në zonë e respektonin të vegjël dhe të mëdhenj. Respektonte çdo njëri dhe i gjendej. Ai ka bërë vetëm politikën në parlament dhe pinte kafe me të djathtë dhe të majtë. Ndaj them se Fatmiri probleme hasmërie nuk ka pasur në zonë absolutisht. Këtë ta gjejë shteti kush është individi.
Deri tani nuk e di njëri",- thotë Faria. Ai shpjegon se nuk ka asnjë mendim se kush mund të jetë vrasësi pasi për këtë gjë duhet të mendojë shteti. "Kur vritet një deputet i takon strukturave të policisë për ta zbardhur. Policia të bëjë punën e saj, unë nuk vë gisht tek njeri",- tregon Ramadan Faria. Sipas tij, familja nuk ka dyshime në lidhje me motivin e ngjarjes dhe është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga organet shtetërore.
Kukaj në komisariat për të dëshmuar
Bujar Kukaj, pronari i lokalit në fshatin Kurjan, ku deputeti i vrarë Fatmir Xhindi, piu kafen e fundit vetëm pak minuta se të qëllohej në pragun e shtëpisë së tij në qytezën e Roskovecit, të shtunën në mbrëmje, është marrë në pyetje dje në komisariatin e policisë së Fierit.
Ai është thirrur për të dhënë dëshminë e tij në orën 12:00 të ditës së djeshme dhe ka qenë në dispozicion të grupit hetues për të paktën dy orë. Lajmi konfirmohet nga njerëz të afërt pranë Z.
Kukaj, të cilët thanë për gazetën 'Shekulli", se ai ishte thirrur të dëshmonte për gjithçka dinte rreth takimit të fundit me deputetin Xhindi. Ata thanë më tej se kishin qenë vetë efektivë të komisariatit të Fierit që kishin kërkuar Z. Kukaj dhe se nga nxitimi ky i fundit kishte harruar edhe telefonin personal në lokal.
Makinës së deputetit i hiqet goma
Makina e deputetit Fatmir Xhindi gjendet prej tri ditësh e parkuar në ambientet e drejtorisë së policisë së rrethit Fier. Dje, mjeti fuoristradë, i cili dallohet lehtësisht prej makinave të tjera të parkuara në oborr për shkak të xhamit të pasmë të thyer, i është hequr edhe njëra nga gomat e pasme. Të pyetur lidhur mbi shkaqet e heqjes së gomës, efektivë të policisë së rrethit Fier nuk kanë dëshiruar të japin informacione të hollësishme, ndërsa një krik mban mjetin në ekuilibër