Buxheti i Tiranës, prefekti Keçi e kthen për rishqyrtim
Prefekti i Tiranës kthen pas buxhetin e Tiranës. Rruzhdi Keçi është shprehur të enjten zyrtarisht për këtë buxhet brenda afateve që i ka përcaktuar ligji, duke mos e konfirmuar atë. Vetë prefekti i Tiranës pohon se buxheti i kryeqytetit për 2009, bie ndesh me ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor në Shqipëri. Kështu që ai është detyruar ta kthejë edhe një herë për shqyrtim këtë draft në Këshillin Bashkiak, së bashku me vërejtjet përkatëse. Disa nga vërejtjet e Prefektit të Tiranës për këtë draft buxhetor janë, buxhetet e përcaktuara për 2009-ën pa destinacion dhe objekte konkrete, gjithashtu Keçi vëren se në këtë buxhet nuk janë përfshirë të ardhurat e papërdorura të 2008. Tashmë, këshilli i cili do të marrë në dorëzim për ta rishqyrtuar Buxhetin e Tiranës duhet të marrë në konsideratë vërejtjet e prefektit dhe të korrigjojë pikat e kontestuara. Nëse kjo nuk ndodh, sipas ligjit, prefekti i drejtohet Gjykatës për të zgjidhur çështjen. Prefekti i Tiranës Rruzhdi Keçi ka marrë më 12 shkurt në zyrën e tij buxhetin e Tiranës, i cili ka mbërritur 7 ditë vonesë nga afati që përcakton ligji. Përveç së tjerash, ky draft është refuzuar të kalohet nga kryetari i Këshillit Bashkiak, kështu që buxheti i Tiranës është kaluar në organin përkatës me firmën e nënkryetarit.