E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Imamit: Jep sqarime për emërimet në ushtri

TIRANË- Përplasja instituciona le mes Presidentit të Republikës dhe Ministrisë së Mbrojtjes për të drejtën e emërimit të Komandantit të Flotës Detare hyri dje në një fazë të re. Burime zyrtare pranë kreut të shtetit, konfirmuan dje për “Gazeta Shqiptare” se Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës i është drejtuar me një letër zyrtare homologut të tij në ministrinë e Mbrojtjes duke i kërkuar shpjegime lidhur me emërimin e z.Ferdinand Kreshpani, në krye të Flotës Detare. 

Të njëjtat burime bënë të ditur se në thelbin e përmbajtjes së letrës kërkohet një arsyetim i urdhërit të ministrit, Arben Imami për këtë emërim. Ndërkohë po dje “Vizion Plus” referuar gjithashtu burimeve nga institucioni i Presidentit të Republikës bëri të ditur se kreu i shtetit, Bamir Topi është në pritje të përgjigjes zyrtare nga ana e dikasterit të mbrojtjes dhe se në varësi përgjigjes do të bëjë edhe reagimin. 

Nëse institucioni i Imamit do të pretendojë se emërimi i Komandantit te Flotës është kompetence e ministrit, atëherë burime të “Vizion Plus” kanë mësuar se çështja do të shkojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Por nëse arsyetimi është se Zoti Topi emëron vetëm gjeneralët, ne këtë rast kjo lëvizje është nul dhe procedura për Komandantin e Flotës Detare duhet të nisë nga e para. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami me urdhërin e datës 23.1.2012, ka vendosur që “Kapiteni i Rangut të Parë, Ferdinand Kreshpani, deri tani me detyrë komandant i Flotijës Detare Jugore, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet me detyrë komandant i Forcës Detare”. 

Por referuar nenit 169 të Kushtetutës, pika 3, sanksionohet se “Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit emëron dhe shkarkon shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore”. Referuar pikërisht këtij neni të ligjit themeltar të shtetit opozita e ka cilësuar si antikushtetues urdhrin e Imamit. Deputetët socialistë, Ilir Gjoni dhe Pirro Lutaj në mbledhjen e pak ditëve më parë të komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare akuzuan ministrin e Mbrojtjes se ka marrë kompetencat e Presidentit, ndërsa i kërkuan Kryeministrit të ndalojë këtë puç institucional, siç e cilësuan. 

“I kërkoj të reagojë Presidentit të Republikës, sepse ky quhet një krim kushtetues, kam kërkuar që të reagojë Kryeministri i vendit, sepse ky është një puç institucional, kam kërkuar të reagojë ministri i Mbrojtjes, që të bllokojë menjëherë urdhrin e lëshuar për emërimin e komandantit të Forcave Detare dhe të bëjë praktikën për t’ia çuar këtë Presidentit të Republikës”, u shpreh Lutaj.
(el.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›