E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Institucionet të mbrojnë të drejtat e romëve

Kreu i shtetit Bamir Topi u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore të mbrojnë të drejtat legjitime të romëve, në mënyrë që ata të ndihen të barabartë në një vend që aspiron të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane.

Në një takim me një përfaqësi të Bashkësisë Rome dënoi forcërisht dhunën e ushtruar ndaj familjeve rome dhe sidomos ndaj fëmijëve në fund të muajit shkurt, dhe theksoi se “në një vend demokratik, të çliruar nga çdo lloj paragjykimi si Shqipëria, ku ekziston bashkëjetesa dhe harmonia shoqërore mes të gjitha komuniteteve, edhe Bashkësia Rome duhet të ndihet më e mbështetur dhe më e përkrahur nga shteti”.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e bashkësisë rome vlerësuan vëmendjen dhe ndjeshmërinë e vazhdueshme të Kreut të Shtetit ndaj kësaj pakice etnike, pjesë e shoqërisë shqiptare prej më shumë se gjashtëqind vjetësh.
 

Ata parashtruan disa nga problemet më të mprehta me të cilat përballen në jetën dhe veprimtarinë e tyre, si dhe u ndalën në ngjarjen më të fundit, atë të shpërnguljes së detyruar të gati 300 anëtarëve të familjeve rome nga një zonë periferike e kryeqytetit.
 

Me këtë rast, përfaqësuesit e Bashkësisë Rome shtruan kërkesën për një mbështetje dhe përkrahje më të madhe nga institucionet shtetërore përkatëse dhe gjetjen e mekanizmave të duhura ligjore dhe institucionale për zgjidhjen e problemeve të tyre, por edhe për integrimin e këtij komuniteti në jetën shoqërore të vendit duke pasur parasysh strehimin, shkollimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›