E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Krimet e komunizmit nuk dënohen me retorika

TIRANE- “Krimet e komunizmit nuk mund të dënohen duke përdorur thjesht retorika”- kështu është shprehur kreu i shtetit Bamir Topi gjatë një takimi me një perfaqesi të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate Besim Ndregjoni, shoqërohej në këtë takim nga vëllai i poetit të ekzekutuar nga regjimi komunist Vilson Blloshmi. Kreu i shtetit i siguroi përfaqësuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të plotë institucionale dhe njerëzore për rehabilitimin dhe ri-integrimin e kësaj shtrese në të gjitha aspektet e jetës shoqërore të vendit.

Ata i dhuruan Kreut të shtetit shqiptar në shenjë vlerësimi librin e autorit Bedri Blloshmi të titulluar: “Fabrikimi i Vdekjes” në të cilin botohet e plotë historia tragjike dhe dosjet e sigurimit për poetët e ekzekutuar në mënyrë makabër nga diktatura komuniste – Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Presidenti Topi theksoi se “ky libër jo vetëm përmban vlera historike dhe dokumentuese, por shërben si një pikë referimi që shoqëria shqiptare duhet ta lexojë e të mundohet që të përfytyrojë krimet e periudhës diktatoriale, të cilat nuk mund të dënohen dot duke përdorur thjesht retorika.”
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›