E Hënë, 2 Nëntor 2026

Topi Kuadri ligjor ne perputhje me standartet europiane

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot paradite Kryetaren e Gjykatës së Lartë austriake, Irmgard Gris, e cila shoqërohej në kuadër të vizitës në vendin tonë nga Zëvendëskryetari i kësaj Gjykate, Roland Rohrer dhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Austrisë, Florian Raunig. Në takim ishte e pranishme edhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj.

Kreu i Shtetit shqiptar, pasi bëri një përshkrim të hollësishëm të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë, të arritjeve e sfidave me të cilat përballet aktualisht gjyqësori shqiptar, u ndal veçanërisht në “rëndësinë që mbart sot vazhdimi i reformave legjislative e institucionale të të gjithë sistemit gjyqësor për t’u sinkronizuar me standardet më të mira evropiane”.

Në këtë aspekt, Presidenti Topi, njëkohësisht në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vuri në dukje se “ekziston kuadri ligjor cilësor, bashkëkohor e në përputhje me standardet evropiane, por për të garantuar një drejtësi efektive nevojitet zbatimi i drejtë i këtyre ligjeve nga ana e një sistemi gjyqësor profesional, të paanshëm e të pavarur nga çdo lloj influence politike”.

Duke shprehur mirënjohjen për ndihmesën që Austria i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë viteve të zhvillimit të demokracisë, si tregues i qartë i marrëdhënieve mjaft të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona mike, Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e ndërsjellë, sidomos në drejtim të përmirësimit të sistemit gjyqësor shqiptar, bazuar në modelin e shtetit të së drejtës në Austri dhe zhvillimin profesional të gjykatësve. Gjithashtu, Kreu i Shtetit vuri në dukje rëndësinë e përfitimit të përvojave nga vendet e zhvilluara evropiane e me sisteme gjyqësore më të konsoliduara, e në këtë drejtim, vlerësoi maksimalisht Misionin EURALIUS dhe punën e tij në kuadër të përmbushjes së standardeve të kërkuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nga ana e saj, Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Austrisë, Irmgard Gris, falenderoi Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë dhe për panoramën e hollësishme rreth arritjeve dhe sfidave të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Zonja Gris, duke siguruar në mbështetjen e mëtejshme të institucioneve të shtetit austriak, kryesisht për të gjithë sistemin gjyqësor, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes organizatave dhe institucioneve të ndryshme të drejtësisë në drejtim të marrjes së përvojës së vyer dhe rritjes së efektshmërisë, cilësisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve.

Duke u shprehur njëkohësisht përshtypjet e saj për reformat në gjyqësor që po zbatohen në Shqipëri, të cilat duhet të vazhdojnë si një proces afatgjatë dhe i rëndësishëm, zonja Gris vuri në dukje se: “Një sistem gjyqësor vërtet i pavarur nga ndikimet politike ose ekonomike nuk ka vetëm miq.” duke shtuar se: “Sistemi gjyqësor luan një rol të rëndësishëm në përmbushjen e aspiratave integruese të vendit dhe përsosja e vazhdueshme e tij do të rriste edhe prestigjin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›