E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Miss Globe promovon bukuritë e Shqipërisë

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi u rezervoi sot një pritje të përzemërt 42 pjesëmarrëseve në "Miss Globe International 2011", si dhe organizatorëve të këtij spektakli bukurie, i cili për të tetin vit radhazi zhvillohet në vendin tonë. Presidenti Topi u uroi mirëseardhjen në Shqipëri përfaqësueseve të bukurisë nga e gjithë bota dhe drejtorëve vendorë të konkursit, që shpalli fituese zonjushën Stefani Ciolko nga Gjermania.

"Për mua, tha ai, jo vetëm si President i Shqipërisë, por dhe si qytetar i thjeshtë i saj, është krenari që për të tetën herë, ky kompeticion zhvillohet pikërisht në Shqipëri. Dhe kur kthehesh me gëzim dhe respekt në të njëjtin vend, tregon që gjërat në shtatë edicionet e tjera kanë shkuar shumë mirë".

Presidenti Topi theksoi se me spektaklin "Miss Globe International 2011" Shqipërisë i bëhet një promovim jashtëzakonisht i bukur në të gjithë bukuritë e veta natyrore, por edhe në zhvillimin e saj.

Në emër të organizatorëve dhe konkuruesve, drejtuesi i kësaj veprimtarie në Shqipëri, Petro Bozo vlerësoi pritjen nga ana Kreut të Shtetit, e cila sipas tij është tregues se "organizimi ynë në Shqipëri ka lënë mbresë dhe vetë përkrahja që ne marrim nga autoriteti i Presidentit na shton forcat për të bërë një gjë akoma më të mirë edhe vitin tjetër për vendin tonë".
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›