E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët e Metës: Kemi fakte për skenarin e Priftit, padi kundër tij

Avokatët e Ilir Metës akuzojnë Dritan Priftin se ka mashtruar publikisht dhe se është pjesë e një komploti politik, faktet e të cilit do të zbardhen.

Avokatët mbrojtës të Ilir Metës e kanë konsideruar reagimin e ish-ministrit Prifti, pas daljes së raportit të ekspertëve, si një reagim dashakeqës. Duke e akuzuar Priftin se ka mashtruar publikisht, ata kanë paralajmëruar një padi në adresë të tij. “Të gjitha këto çështje kanë të bëjnë me një vijë dhe qëndrim qorrsokak ku ka hyrë Prifti dhe vërtetojnë se kjo çështje ngrihet mbi manipulimin e pastër dhe një skenar që përbën një aferë dhe komplot me ngjyra politike, ku më vonë ne do paraqesim fakte për këtë skenar”,- theksoi Spartak Braho. Në një konferencë për mediat avokatët mbrojtës të Ilir Metës deklaruan se ish-ministri Dritan Prifti shpif në pretendimet e tij, se një ditë para se ekspertët shqiptarë të jepnin konkluzionet mbi çështjen, janë takuar me avokatët e Metës. Ata thanë se do të ndërmarrin hapa ligjorë ndaj tij. “I kërkoj ndjesë opinionit publik që ta konsideroj veprimin e Priftit si shpifje dhe poshtërsi të tij që ka ngjizur gjithë procesin kundër Ilir Metës. Nuk jam takuar me ekspertët e caktuar nga Gjykata e Lartë në ditën dhe në vendin që pretendon Dritan Prifti, për këtë do marrim hapat e mëtejshme ligjore”- theksoi avokati mbrojtës Serjani. Sipas avokatëve mbrojtës, tre ekspertët shqiptarë: Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqiri, në seancën e mbajtur dje në Gjykatën e Lartë kanë theksuar se në 'Orën-Video', që ishte objekt ekspertimi me një vendim të ndërmjetëm të Kolegjit Penal nuk u gjet asnjë gjurmë e regjistrimit të videos Meta-Prifti. Avokatët mbrojtës të Metës bënë një pasqyrë të plotë të ekspertizës së video përgjimit Meta-Prifti, ku vlerësuan profesionalizmin e ekspertëve shqiptarë. Avokatët e ish-zv/kryeministrit theksuan se videoja nuk është autentike, ndërkohë që në të ka pasur ndërhyrje. Sipas avokatëve Braho dhe Serjani ekspertiza e tre shqiptarëve përputhet me atë të bërë në një periudhë të shkurtër kohore nga eksperti amerikan. “Së pari, janë vërejtur dhjetëra ndërhyrje të bëra me aparatura elektronike për një periudhë të gjatë kohe, intensive, dhjetor janar 2010-2011. Së dyti, ka ndërhyrje në fashën zanore të dëgjueshmërisë”, shtoi dje Spartak Braho.

Prifti: Nuk më trembin “avokatët e djallit”

Deputeti Dritan Prifti u është kundërpërgjigjur dje avokatëve të Metës, duke i etiketuar ata si “avokatët e djallit”. Ai ka thënë se nuk trembet nga kërcënimet e avokatëve të djallit, ndërsa ka përsëritur edhe njëherë faktin se ekspertët e videos Meta-Prifti kanë gënjyer. “Nuk ka asnjë kërcënim në botë që më tremb mua. Kërcënimi i avokatëve të djallit vetëm më argëton dhe më bën të qesh. Dy gazeta kanë botuar në faqe të parë takimin e avokatit Serjani me ekspertët, para se unë ta bëja këtë citim. Ekspertët e videos kanë gënjyer publikun dhe drejtësinë. Ekspertët kanë kryer krim me shtrembërimin e drejtësisë dhe së të vërtetës. Të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar skemën e mashtrimit. SHBA dhe Anglia kanë provat dhe ekspertizë për mashtrimin e ekspertëve të Metës”,- ka thënë Prifti gjatë një reagimi. Dy ditë më parë, ish-ministri Dritan Prifti tha se ekspertët vetëm sa kanë hedhur firmën në raportin përfundimtar që kanë dorëzuar, pasi, sipas tij, ata nuk kanë pasur asnjë njohuri dhe asnjë kapacitet teknik për të realizuar një raport të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›