E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg pa afat për Reçin

PESHKOPI- Masë arresti me burg vendosi dje pasdite Gjykata e Dibrës për 17-vjeçarin Ermal Reçi, i akuzuar për veprën penale të vrasjes me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Ai akuzohet se është autori i vrasjes së shokut të klasës, Krenar Bardulla. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e premte në shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti”, Peshkopi. Dy ditë më parë i riu pranoi para grupit hetimor se është ai autori i ngjarjes kriminale, ndërkohë edhe dje para trupi gjykues ka pranuar se ai e ka therur Bardullën me thikë. Burime pranë drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër pohuan për “Mapo” se adoleshenti tregoi çdo detaj të ngjarjes tragjike që ndodhi në mjediset e brendshme të shkollës. Reçi ka deklaruar gjithashtu se është penduar për krimin e kryer dhe nuk e kishte menduar se do t’i merrte jetën shokut të klasës. Gjyqtari i çështjes, Halil Vani, ka dhënë masën e sigurisë “burg”, duke marrë në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër. Pas vendimit Reçi është transferuar në burgun e të miturve Tiranë dhe do të hetohet deri para ndëshkimit ligjor nga Prokuroria e Përgjithshme, sektori i të miturve. P. H

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›