E Diel, 1 Nëntor 2026

Infektivi në Korçë, godina gati por mungojnë pajisjet

Korçë- Spitali Infektiv në Korçë ose siç njihet ndryshe Sanatoriumi, ende nuk i është bashkuar kompleksit spitalor të juglindjes. Megjithëse godina për këtë spital të rëndësishëm është rikonstruktuar dhe është gati, ajo ka mbetur pa asnjë funksion. Me fondet e qeverisë shqiptare është investuar në rikonstruksionin e godinës, ndërsa punimet megjithëse kanë shumë muaj që kanë përfunduar, ndërtesa ka mbetur e boshatisur. Janë plot 43 milionë lekë që janë investuar për këtë rikonstruksion, ndërkohë që pritej që pacientët e Sanatoriumit të zhvendoseshin këtu në kushte shumë më të mira, por dhe brenda të gjithë kompleksit të spitalit rajonal të Korçës. Sipas drejtuesve të spitalit mësohet se një mundësi që ky investim të shfrytëzohet për qëllimin që është kryer është viti 2012, ku pritet që të akordohet një fond i posaçëm për blerjen e bazës materiale përkatëse, por dhe aparaturave për pacientët që kurohen pranë Sanatoriumit. Në fakt investimi i radhës që kërkohet është afërsisht sa ai i investimit kryesor të godinës, ndërsa shenjat duket se janë ende larg. Drejtuesit e spitalit thonë se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për ta vënë në funksion këtë ndërtesë dhe për t’iu ardhur në ndihmë pacientëve, por mungesa e një fondi tjetër ashtë ajo që e ka lënë në mëshirë të fatit këtë ndërtesë që ka përfunduar vetëm pak kohë më parë. Tanimë sytë janë nga viti i ardhshëm, ku pritet që Ministria e Shëndetësisë ta përfshijë në prioritetet e saj dhe fondin për vënien në funksion të Sanatoriumit të Korçës, për pajisje dhe aparatura që nevojiten për ta bërë atë funksional. Deri atëherë duhen dhe disa muaj, që do të thotë se pritja do të vazhdojë. I.Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›