Vdes në aksident oficeri i ushtrisë
MAT-Është gjetur i pajetë mëngjesin e djeshëm oficeri i ushtrisë, 55-vjeçari Esat Uka, babai i katër fëmijëve. Burime nga policia thanë se që në orët e para të mëngjesit familjarët ishin vënë në kërkim të njeriut të tyre të afërm, pasi e prisnin të kthehej në shtëpi mesnatën e së hënës. Uka punonte prej vitesh në repartin ushtarak të Qafë-shtamës, në Pyllin e Kadiut. Burime policore pranë Komisariatit të Matit sqarojnë se ai ka lënë turnin e punës në orën 23.00 dhe me makinën e tij, tip foristradë, me targa angleze, është nisur drejt fshatit të tij Selixë. Mirëpo sapo ka udhëtuar afro 3 kilometra makina e tij ka dalë nga rruga dhe ka rënë në greminë, afro 40 metra lartësi. “I telefonuam disa herë Esatit dhe ai nuk na përgjigjej, megjithëse zilja e telefonit i shkonte. Vajtëm në repart dhe pyetëm. Na thanë ka ikur që mbrëmë për shtëpi. Ky fakt na shqetësoi dhe nisëm kërkimet. Rreth orës 14.00 e gjetëm në makinë pa jetë” -pohuan familjarët e viktimës për grupin hetimor, i cili shkoi shpejt në vendin e ngjarjes pas njoftimit që mbërriti në sallën operative. Nga hetimet e para rezulton se kemi të bëjmë me një aksident automobilistik, mirëpo grupi hetimor po mbledh prova e fakte për ta zbardhur plotësisht ngjarjen. P. H